Xherdan Shaqiri, Messi i Alpeve

Xherdan Shaqiri është vetëm 22 vjeç, por do ta marrë në dorë Përfaqësuesen e Zvicrës gjatë kësaj vere, në Botërorin e dytë të shtetit helvetik. Në vitin 2010, Zvicra e kishte shkruar historinë, duke e mposhtur Spanjën, kampione të botës, por nuk kishin arritur të kualifikoheshin në të tetën e finales. Këtë vit, ekipi i…

Sport

13/03/2014 10:30

Xherdan Shaqiri është vetëm 22 vjeç, por do ta marrë në dorë Përfaqësuesen e Zvicrës gjatë kësaj vere, në Botërorin e dytë të shtetit helvetik.

Në vitin 2010, Zvicra e kishte shkruar historinë, duke e mposhtur Spanjën, kampione të botës, por nuk kishin arritur të kualifikoheshin në të tetën e finales.

Këtë vit, ekipi i Ottmar Hiztfeldit do të jetë në grup me Francën, Ekuadorin dhe Hondurasin dhe ‘Messi i Alpeve’, siç e quajnë futbollistin gjilanas, me shokët e tij kanë mundësi ta kalojnë fazën e grupeve.

Uebfaqja rtbf.be ia ka kushtuar një tekst të veçantë futbollistit kosovar, për të cilin shkruan se ishte vetëm një vjeç kur prindërit e tij e lanë një zonë lufte, për t’u transferuar në Zvicër.

“Si 10 vjeçar iu bashkua Baselit, ku e kaloi një dekadë. Më pas u bë njëri prej yjeve të futbollit zviceran, duke i thyer të gjitha rekordet, për t’u transferuar më pas në Bayern Munich në korrik të vitit 2012 dhe tash po zhvillohet gradualisht, duke u bërë lojtar i madh”.

Shaqiri, i gjatë 169 centimetra, i ka fituar tre tituj të kampionit në Zvicër, është bërë kampion i Gjermanisë, e ka fituar Lugën e Kampionëve, Botërorin e Klubeve dhe disa trofe tjerë kolektivë dhe individualë.

Majtaku ofanziv është njëri prej lojtarëve për t’u ndjekur këtë verë në Botërorin e Brazilit.