100 “luftëtarë” nga Zona e Llapit janë përjashtuar nga listat

Faik Fazliu thotë se janë larguar 100 persona nga lista e Zonës Operative të Llapit. Ndërkaq, Muharrem Xhemajli ka deklaruar se pas luftës komandatët e zonave kanë bërë garë se kush ka pasur më shumë ushtarë.

Lajme

31/03/2015 22:30

(E plotësuar)

Kryetari i veteranëve të UÇK-së pranë zyrës së kryeministrit, Faik Fazliu ka thënë se 100 persona, të cilët kanë fituar statusin e veteranit ose invalidit të UÇK-së në listat e para të Zonës Operative të Llapit, janë përjashtuar nga lista.

Fazliu ka  premtuar se javën e ardhshme do të publikohen listat e të gjitha zonave që kanë mbetur pa u publikuar.

Deri më tani janë publikuar listat e Zonës së Llapit, Shalës, Nerodimes, Pashtrikut dhe Karadakut.

Publikimi i tyre ka shkaktuar pakënaqësi në mesin e ish-ushtarëve të UÇK-së, ndërsa dje është mbajtur edhe një protestë para ndërtesës së Qeverisë.

_________________________

Ish-kryetari i OVL të UÇK-së, Muharrem Xhemajli e ka pranuar që pas luftës është bërë një garë mes komandantëve të zonave se kush e ka numrin më të madh të ushtarëve.

Ai në emisionin Click në RTV 21 tha se pas luftës janë formuar disa lista me emrat e ushtarëve të UÇK-së.

“Pas luftës ka pas disa lista të cilat janë formuar. Komandantët e zonave kane bërë një garë se kush nga zonat do të ketë më shumë ushtarë e kush më pak”, tha ai, transmeton indeksonline.

Xhemajli më tej tha se është fatkeqësi vonesa dhe se këtë e pësojnë më së shumti ish-luftëtarët.

“Po i bëj thirrje të gjithë bashkëluftëtarëve që kanë përgjegjësi që ta kryejnë këtë detyrë siç ëshstë më së miri. Edhe pse janë tu u vonu, këtë po e pësojnë luftëtarët e luftës që i kanë kushtet e vështira. Fatkeqësi është që nuk janë identifikuar deri më tani”, tha ai.