Xhemajli braktis shoqatën e Veteranëve të UÇK-së, aderon në PDK

Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Muharrem Xhemajli, nuk do të vazhdojë të jetë më në krye të kësaj organizate, pasi ka vendosur t’i hyjë politikës. Ai do të jetë pjesë e listës për deputet në Partinë Demokratike të Kosovës. 

Lajme

12/05/2014 17:02

Në një prononcim për lajmi.net, Xhemajli e ka konfirmuar këtë gjë. 

“Këshilli drejtues i Partisë Demokratike, dega në Drenas, në listën e kandidatëve për deputet e ka futur edhe emrin tim dhe shpresoj se do të jem kandidat”.

“Sot u mor vendim nga këshilli drejtues i PDK në Drenas dhe ka propozim që unë të jem pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në Parlamentin e Kosovës”, ka thënë Xhemajli. 

Ai gjithashtu ka konfirmuar se nga dita e enjte do të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të OVLUÇK. 

“Pas këtij vendimit të Këshillit Drejtues së PDK-së në Drenas, ne sot jemi duke e thirrë Këshillin Drejtues dhe të enjten zyrtarisht nuk do të jem më kryetar i OVLUÇK-së, por normal kudo që të jem do t’i mbrojë interesat e veteranëve të luftës, familjet e dëshmorëve dhe të të gjithë qytetarëve të vendit”, ka thënë Xhemajli për lajmi.net.