Xhelozia e Gerrardit

Kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard, ka pranuar se ndjeu xhelozi derisa shikonte skuadra pjesëmarrëse në Ligën e Kampionëve, kurse ekipi i tij ishte jashtë garës. Por, ai është optimist për shanset e skuadrës së tij, pas rikthimit në elitë.

Sport

16/09/2014 10:47

Në pesë vitet e fundit, të martave dhe të mërkurave kur e kemi ndezur televizorin nuk e kemi parë Liverpoolin duke luajtur në Ligën e Kampionëve.

Mirëpo, Reds janë rikthyer këtë edicion dhe kapiteni Steven Gerrard është optimist se ata mund të lejnë gjurmë. “Kur nuk jeni të përfshirë, është një xhelozi e madhe”, pranoi Gerrard, gjatë një interviste për tabloidin britanik “Daily Mail”.

“Xhelozoja ekipet dhe futbollistët që luanin në Ligën e Kampionëve kurse Liverpool nuk ishte aty. Por, kjo është një gjë e mirë apo jo? Është gara më e mirë në nivelin e klubeve. Dhe, ju ndjeni një zbrazëtire të madhe kur jeni jashtë saj”, shtoi ai.

“Por, kam besim tek Brendan dhe ekipi. Dëgjoni, do ta shpjegoj në një mënyrë tjetër. Nëse eliminohemi në fazën e grupeve ose në rrethin e dytë, do të jetë një dëshpërim shumë i madh. Ne duam të shkojmë përpara. Ne duam të shkojmë sa më larg që mundemi”, u shpreh ai.