Xhavit Haliti kundër taksës 100 për qind për Serbinë
Taksa mbrojtëse 100 për qind për Serbinë dhe BH është vendim irracional dhe duhet korrigjuar.

Lajme
Kështu u shpreh nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Hailti në RTV21.
Ai konsideron se Qeveria duhet të gjejë një rrugë të mesme për të mos u futë në konflikt me BE-në si pasojë e kësaj takse, ndërsa thekson se Serbia në bazë të marrëveshjes CEFTA ka të drejtë të padisë Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit.
I pyetur për qëndrimet e kryeministrit të vendit Ramush Haradinaj se taksa nuk do të hiqet deri në njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, Haliti është shprehur se shteti nuk funksionon sipas qëndrimeve të liderëve.
“Kryeministri, Kryetari i Shtetit, Kryetari i Kuvendit, ata mbajnë karriget e udhëheqësve, shteti funksionon jo mbi bazën e qëndrimeve të kryeministrit ose presidentit, por ka një varg gjërash që duhet të merren parasysh”, është shprehur Haliti.
Ai gjithashtu ka shtuar se duhet të respektohen marrëveshjet ndërkombëtare në mënyrë që të mos zbehet autoriteti i shtetit.
Haliti ka thënë se duhet të kryhen obligimet e shtëpisë në mënyrë që t’i bindim vendet e tjera që ne jemi të mirë dhe se në këso situata duhet të kemi kujdes kur marrim vendime.
“Nuk është gabim që vendimet e kqija t’i ndryshojmë”, tha Haliti.