Xharra: Qeverisja e LDK-së tërësisht e dështuar, mashtroi për rritjen ekonomike

Anëtarja e re e Partisë Demokratike të Kosovës, Arbana Xharra, ka vlerësuar se qeverisja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, me Isa Mustafën, ishte tërësisht e dështuar. Sipas saj, Qeveria Mustafa s'ka arritur ta çojë asnjë çështje deri në fund.

Lajme

31/05/2017 23:22

Në një intervistë për Gazetën Express, Xharra po ashtu ka thënë se LDK ka mashtuar publikun për rritje ekonomike.

Janë bërë disa javë prej kur keni nisur angazhimin politik. Meqë e keni përcjell sektorin e ekonomisë kohë të gjatë, si i shihni argumentet politike të të gjitha subjekteve politike. Po ashtu, i keni përmendur disa kundërargumente për LDK-në, e cila po krenohet me stabilitetin makroekonomik, nga 1.2% rritje në 2014, në 4 %, cila janë ato?

Xharra: Po, i kemi dëgjuar shpeshherë, le të themi disa argumente meqë ashtu u thatë edhe ju, por që faktikisht më së paku ato mund të quhen argumente. Ekonominë para kolapsit në vitin 2014 e ka sjell pikërisht LDK-ja dhe kjo është edhe arsyeja pse në atë vit kishte rritje më të vogël. Unë kam qenë gazetare dhe e di që tërë viti 2014 pothuajse ka qenë pa qeveri dhe proceset kanë qenë të kolapsuara prej bllokadës politike, që kishte nxitur LDK-ja pas humbjes së saj. Prej fillimit të majit të 2014-es ishte vetë rrëzuar qeveria, kurse në qershor kanë qenë zgjedhjet. Bllokada politike kishte zgjatur deri në dhjetor. Por, jo vetëm qasja e atyre që po flasin për ekonomi në LDK, por edhe e kryeministrit Isa Mustafa, si dhe e vetë ministrit Avdullah Hoti me këto argumente është tërësisht manipulative. Në mënyrë selektive, ata po e përmendin vetëm vitin 2014, kur rritja është e vërtetë se ka qenë 1.2 për qind, por ka qenë pikërisht për shkak të bllokadës së tyre politike, me të cilën kanë trembur edhe investitorët, por edhe kishin kolapsuar vetë gjithçka. Të dhënat para vitit 2014, përkatësisht për vitet 2007-2013 tregojnë për një normë mesatare të rritjes së Bruto-Produktit Vendor prej 4.5 për qind. Pra, më herët rritja ka qenë edhe më e madhe se rritja të cilën po e proklamojnë LDK-ja, prandaj ky argument i tyre është tërësisht i paqëndrueshëm dhe vetëm manipulativ.

Jeni grua vetë dhe e keni sfiduar veten edhe në menaxhim biznesesh. LDK-ja, ditë më parë, krenohej edhe me përmirësimin e pozicionit të grave në biznes… Kishte të arritura në këtë segment?

Xharra: Vërtetë do doja ta shihja prej tyre vetëm një indikator matës ose një krahasim kredibil për përmirësimin e pozicionit të gruas në biznes. LDK-ja jo vetëm që nuk i ka mbështetur gratë, por si kryeministër, Isa Mustafa, edhe i ka fyer të gjitha gratë që bënin përpjekje për të siguruar vetë fonde për realizimin e projekteve të tyre biznesore. LDK-ja, sigurisht se do donte që ne ta harronim këtë gjë, por kryeministri Mustafa, me ata statuset e tij të famshëm, në mënyrë indirekte edhe lopë i kishte quajtur gratë që përpiqeshin të vetëpunësoheshin, duke thënë se po kullosin fonde nga ndërkombëtarët përmes organizatave joqeveritare.

Në dy vitet e fundit të qeverisjes së vendit nga LDK, kanë thënë se kanë krijuar 41 mijë vende të reja të punës?

Xharra: Edhe ky është manipulim. Fillimisht është shumë e debatueshme se çfarë nënkupton krijimi i një vendi të ri të punës. Shembull, meqë po japin numra, ata duhet të na tregojnë ku saktësisht po pretendojnë se i kanë krijuar këto vende pune, në cilët sektorë dhe qysh e kanë bërë përllogaritjen e tyre. Ose nëse ato janë vende të përkohshme të punës apo të përhershme. Ne e kemi bujqësinë si sektor, i cili e dimë që ka gjeneruar vende të reja të punës për shkak të investimeve me grante qeveritare, mirëpo subvencionet në anën tjetër nuk krijojnë punësim, por vetëm i mbështesin vendet ekzistuese. Pra, secili sektor i ka specifikat e veta me çka krijohet punësim dhe me çka nuk mund të krijohet. Unë i kam shikuar edhe të dhënat e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, e cila është qeverisur prej LDK-së, por aty mungojnë të dhënat për dy vitet e fundit për të cilat këta po thonë se kanë krijuar 41 mijë vende pune.

Në vitin 2014, sipas të dhënave të ministrisë janë krijuar 6566 vende të lira të punës, kurse në vitin 2015 janë krijuar 11506 vende të lira. Ndonëse në faqen e tyre mungojnë të dhënat për vitet pasuese, me këtë trend as për katër vjet nuk do mund t’i krijonin 40 mijë vende të reja të punës, se lëre më që patën premtuar të krijojnë 120 mijë vende për 4 vjet. Ky është dështim total i qeverisjes së Isa Mustafës, të cilën eksponentë të saj pa fije turpi po mundohen ta shesin si sukses. Për shkak të zhgënjimeve të mëdha qytetare, në qeverisjen e Isa Mustafës në vitin 2015 kemi pasur edhe imigrime masive. Deri në 100 mijë qytetarë kanë ikur ilegalisht prej Kosovës. A i kanë minusuar LDK-ja këta 100 mijë qytetarë, në llogaritë e tyre? Përkundër ikjes së 100 mijë qytetarëve, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2015 kishte 89 210 punëkërkues, kurse në vitin 2017 janë 108 411 punëkërkues. Si i paskan krijuar 41 mijë vende pune, kur 100 mijë qytetarë kanë ikur prej vendit, kurse numri i punëkërkuesve zyrtarisht është rritur.

Ata mund të thonë se kanë hyrë gjenerata te reja në tregun e punës, por të gjithë kemi të rinj nëpër shtëpi e familje dhe asnjë i ri nuk shkon në Drejtoritë Komunale për Punësim për t’u lajmëruar si punëkërkues. Të dhënat këta i marrin prej drejtorive komunale të punësimit.

LDK-ja e ka rritur buxhetin në 2 miliardë euro dhe ky gjithsesi që është sukses i saj. Është meritë e tyre kjo…

Xharra: Është normale që buxheti të rritet me kalimin e viteve. Edhe PDK-ja e kishte rritur buxhetin kur e ka marrë qeverisjen prej LDK-së. Madje edhe e ka pas dyfishuar nga 891 milionë euro në 1422 milionë euro, nëse nuk gabohem. Por, faktikisht LDK-ja nuk e ka rritur buxhetin ose më mirë më thënë po manipulojnë me këtë rritje, sepse ky buxhet faktikisht nuk është ende i rritur. Buxheti praktikisht nuk është rritur në 2 miliardë euro dhe rritja që po e proklamon LDK-ja është vetëm rritje fiktive. Në 2016, buxheti ishte 1 miliard e 674 milionë euro. Kurse, në buxhetin për vitin 2017, i cili deklarativisht sillet në rreth 2 miliardë euro, janë paraparë edhe 240 milionë euro prej privatizimeve, të cilat nuk mund të ekzekutohen pa bërë ndryshime ligjore. Pra, Qeveria e Kosovës nuk ka pasur bazë ligjore për t’i liruar këto 240 milionë euro kur është planifikuar buxheti dhe nuk e ka ende as tash bazë ligjore për t’i ekzekutuar. Ligji që mundëson lirimin e këtyre mjeteve, me sa e di unë, ka mbetur në procesin e plotësim-ndryshimit në Ministrinë e Financave. Por, edhe sikur vërtetë të ishte rritur, kjo nuk është aspak meritë e punës së Qeverisë, sepse nuk po rritet prej rritjes së të hyrave apo si rezultat i politikave financiare, por po rritet prej AKP-së.

Ka pasur edhe ulje të normave të interesit nga 12-14% sa ishin, në 7 %, sipas ekonomistëve të LDK-së. Nuk e shihni ju kështu?

Xharra: Nuk e di për cilat norma konkretisht e kanë fjalën, sepse oferta bankare është goxha e madhe dhe normat ndryshojnë varësisht prej sektorëve dhe një mori rrethanave të tjera. Madje, gjithçka është e diskutueshme me bankat edhe rreth normave të interesit dhe ato në të shumtën e rasteve nuk janë fikse. Fillimisht, nuk është e vërtetë që kufiri minimal i tyre ka qenë 14 %, por rreth 8-9 %, ndërsa nëse tash kufiri minimal i tyre është 7%, unë nuk e di, mirëpo evoluimi është proces normal dhe kjo nuk është asgjë e jashtëzakonshme. Sektori bankar është stabil dhe kjo aspak nuk është meritë e LDK-së. Nëse po i referohen efekteve që mund të kenë ardhur prej themelimit të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, i cili është themeluar në fillim të 2016, as ai nuk është meritë e kësaj qeverie, sepse nëse nuk gabohem është krijuar me ndihmën e Bankës Gjermane për Zhvillim, me ndihmën e USAID-it dhe qeverisë suedeze.

LDK-ja, ndonëse i ka pasur disa skandale, deklarohen se nuk kanë lejuar që të abuzohet me paranë publike. Si e vlerësoni ju këtë?

Xharra: Nuk kam sesi t’i vlerësoj ndryshe, përpos si skandaloze edhe këto përpjekje për t’i fshehur skandalet. LDK-ja ka abuzuar në mënyrë ordinere me paranë publike. Isa Mustafa u ka dhënë tenderë edhe djemve të vet, konkretisht kompanisë Macar. Isa Mustafa u ka dhënë licencë për terminal të mallrave djalit të vet. Të gjithë gazetarët e dinë që kompania “INTEREUROPA KOSOVA L.L.C”, bazuar në të dhënat e regjistrimit të biznesit është në pronësi të kompanisë sllovene “Intereuropa D.D”. Ndërsa, Arben Mustafa dhe  Andrej Karl figurojnë si persona të autorizuar në këtë biznes.  Emri i kësaj kompanie figuron edhe në deklarimin e pasurisë së kryeministrit Mustafa. Kur kishte deklaruar pasurinë më 2010, në cilësinë e kryetarit të Prishtinës, ai kishte deklaruar se pesë për qind të aksioneve në këtë kompani i ka djali i tij. LDK-ja ka vazhduar edhe me punësimin e hapur politik, madje edhe të grave të njëri-tjetrit. Isa Mustafa e ka punësuar edhe gruan e djalit të tij në ministrinë e Arban Abrashit, zëdhënësit të tij. Plus, për publikun është i njohur edhe klientelizmi i tyre me Riinvestin, të cilin e kanë përfshirë kudo që kanë mundur.