Xhandarmeria heq flamujt shqiptarë, Presheva në pritje të kryeministrit Rama
Xhandarmeria serbe sot në mëngjes ka hequr flamujt kombëtar shqiptarë nga shtyllat e rrugëve kryesore të Preshevës, pak orë para arritjes së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili ndodhet për vizitë zyrtare dyditore në Serbi.
Lajme
Dëshmitarët okular i kanë thënë portalit informativ Titulli.com se flamujt janë hequr në agim të ditës së martë nga njerëz pa uniformë, por të shoqëruar nga xhandarmeria e Serbisë.
Një ditë më parë u shoqëruan për në polici qytetarë të cilët po dekoronin me flamuj kuq e zi rrugët e Preshevës.
Përndryshe, në Preshevë po mbretëron atmosferë e qetë, përderisa policia thuajse gjendet në të gjitha vendet ku parashihet të kalojë e qëndrojë kryeministri Edi Rama, sidomos në shtëpinë e kulturës “Abdulla Krashnica”.
Një ditë më parë, kryeministri Rama qëndroi në Beograd, ku u takua me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, me të cilin mbajtën një konferencë për media që nga nikoqiri u vlerësua si provokuese.
Rama në këtë konferencë foli edhe për Kosovën, duke thënë se pavarësia e saj e njohur nga më shumë se gjysma e shteteve të Kombeve të Bashkuara është një realitet i pakthyeshëm, dhe se sa më shpejtë që të pranohet ky realitet nga të gjithë, aq më mirë do të jetë për të gjithë rajonin.
Po ashtu, kryeministri shqiptar ka thënë se shqiptarët e Luginës duhet të kenë vëmendjen e Beogradit dhe duhet të gëzojnë të gjitha të drejtat që i ka pakica serbe në Kosovë.
Kjo e ka bërë kryeministrin serb të mos ndihej mirë, i cili përkundër lëvdatës për “mikpritje” që i ka bërë Ramës, u largua nga konferenca pa i shtrënguar dorën, ashtu sikurse e kërkon protokolli.
Ndërkohë, agjencia serbe e lajmeve Tanjug, ka paralajmëruar se përveç në Preshevë, Rama do të qëndrojë për pak orë dhe në dy komunat tjera shqiptare, në Bujanoc dhe Medvegjë.
Edhe pse policia ka provokuar qytetarët me heqjen e flamujve, autoritetet shqiptare të Luginës presin që vizita e kryeministrit të Shqipërisë të kalojë pa ndonjë incident.