Xhamia e Madhe në Mekë heq kufizimet për vizitorët, besimtarët falen krah njëri-tjetrit

Xhamia e Madhe në qytetin e shenjtë të Mekës për herë të parë pas fillimit të koronavirusit ka parë besimtarët muslimanë që falen përkrah njëri-tjetrit.

Bota

18/10/2021 09:08

Punonjësit kanë hequr shenjat paralajmëruese që i sugjeronin njerëzve të mbanin distancën sociale brenda dhe rreth e qark Xhamisë.

Imazhet e mëngjesit të së dielës tregojnë besimtarët duke u falur pranë njëri-tjetrit, me këmbët e bashkuara në vija të gjata lineare, një metodë që praktikohet gjatë faljes në besimin mysliman.

Edhe pse masat e distancimit social janë hequr, autoritetet i kërkojnë vizitorëve që të jenë plotësisht të vaksinuar dhe detyrimin për të mbajtur maska brenda territorit të Xhamisë. Gjithashtu, Qabeja, vendi i shenjtë rreth të cilit është e ndërtuar Xhamia mbetet e mbyllur me kordon dhe nuk lejohet të preket nga vizitorët.

Pandemia e covid-19 ndaloi për një kohë të gjatë vizitorët në Mekë, duke sjellë edhe një humbje financiare prej 12 bilion dollarësh në ekonominë e Arabisë Saudite, për shkak të rëndësisë që ajo ka si atraksion turistik dhe fetar.

Por, mbretëria e Arabisë është duke u hapur dhe mirëpret të gjithë turistët e vaksinuar që nga 1 gushti. Vendi është duke marrë edhe masa të tjera për të lehtësuar kufizimet. Një prej tyre është lejimi i tifozëve nëpër stadiume nëse janë plotësisht të vaksinuar. Edhe maskat në vende të hapura nuk janë më të detyrueshme.

Arabia Saudite ka regjistruar rreth 547 mijë raste me covid- 19 dhe ka pasur 8 760 vdekje.