Xhaka: Shqipëria nuk më ka kërkuar

Granit Xhaka thotë se Shqipëria nuk bëri përpjekje për angazhimin e tij dhe mbron vendimin për të përfaqësuar Zvicrën. Në çështjen e transferimit, ai pranon se do t’i pëlqente të luajë në Serie A.

Sport

31/05/2014 12:12

Mesfushori Granit Xhaka ka arsyetuar vendimin për të përfaqësuar Zvicrën duke thënë se është rritur në shtetin helvetik.

Ylli i Borussia Monchengladbachut ka pranuar se ka të atillë që e akuzuan për tradhti, mirëpo ai mbron vendimin e tij.

“Më kanë thënë se jam tradhtar, i kuptoj. E njoh origjinën time, tregimin tim. Jam rritur në Zvicër. Kombëtarja e Shqipërisë nuk më kërkoi kurrë, nuk mund të refuzoja ftesën nga Hitzfeld. I kam shkruar një letër tifozëve, për mua problemi është tejkaluar”, deklaroi Xhaka gjatë një interviste për Gazzetta dello Sport.

Mesfushori kosovar spekulohet se kërkohet nga Inter, dhe ka mirëpritur mundësinë e transferimit në Serie A.

“Për këto çështje merret babai im por do të më pëlqente të luaj në Serie A”, shtoi ai.

Xhaka tregoi edhe objektivat e tij.

“Dua të paraqitem mirë në Botëror. Gjithmonë e kam ëndërruar dhe nuk dua të dëshmoj. Po ashtu jam duke udhëhequr një projekt në ndihmë të fëmijëve kosovarë që kanë humbur prindërit gjatë luftës”, u shpreh ai.