Xhaka: Shqipëria kurrë nuk na kërkoi para

Granit Xhaka insiston se Federata Shqiptare e Futbollit nuk i kishte kërkuar kurrë para për ta veshur fanellën e Kombëtares shqiptare. Megjithatë, ai zbulon se i ishte ofruar Shqipërisë, por që drejtuesit e FSHF-së ishin treguar indiferent.

Sport

03/07/2014 11:17

Në një intervistë për gazetën “SportEkspres”, mesfushori i Borusia Moenchengladbach, Granit Xhaka ka rrëfyer prapaskenat e afrimit të tij me Kombëtaren Shqiptare.

Futbollisti me origjinë shqiptare që mbron ngjyrat e shtetit zviceran ka thënë se kurrë nuk i janë kërkuar të holla nga FSHF për t’u bërë pjesë e Kombëtares.

“Jo, kurrën e kurrës! Nuk shitet atdhetaria, nacionalizmi. Janë të gjitha gënjeshtra. As na kanë kërkuar para dhe as iu kemi kërkuar”, ka thënë Xhaka.

Ai ka shtuar se babai i tij Ragipi e kishte kontaktuar FSHF-në dhe i kishte ofruar djemtë e tij të luanin me Shqipërinë, por kishte marrë një pergjigje se “djemtë e tij ishin akoma të vegjel, do presim sa të rriten edhe pak” ka rrëfyer ai.

“Pas kësaj, Shqipëria s’kishte bërë asnjë hap deri në momentin kur Ottmar Hitzfeld vendosi të më merrte në Kombëtaren e madhe edhepse isha vetëm 18-vjeç, më grumbulloi”.

“Në atë moment, gjithçka mori fund, sepse i kisha thënë “PO” Zvicrës dhe s’mund të bëja më mbrapa. Fjala e dhënë është diçka që s’mund të kthehet, sidomos sepse Hitzfeld për mua është vërtetë një xhentëlmen”, përfundoi Xhaka.