Williamson: Po të kishte Gjykatë speciale, që sot do t’i kisha ngritur aktakuza

Një ditë pasi bëri publike të gjeturat kryesore të hetimeve gati trevjeçare të ekipit të tij special hetues, Ambasadori amerikan, Clint Williamson, në cilësinë e kryeprokurorit të Task Forcës Speciale, insiston se ka dëshmi të mjaftueshme për të ngritur aktakuza ndaj udhëheqësve më të lartë të UÇK-së dhe arsyeton nevojën që procedurat gjyqësore kundër tyre të zhvillohen jashtë territorit të Kosovës.

Lajme

31/07/2014 00:04

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Koha Ditore“ të së enjtes, Williamson thotë se sikur të ishte në funksion Gjykata Speciale, ai që tani do të ishte në gjendje të ngre edhe formalisht aktakuzën e tillë.

“Është paksa e vështirë të spekulohet rreth kësaj por mendoj se, sikur të kishte një gjykatë të krijuar ne do të ishim që në këtë moment në gjendje të ngrehim aktakuzat“.

Edhe pse edhe në këtë intervistë heziton të përmendë emrat e atyre që pritet të akuzohen, ai thotë se Task Forca Speciale i di ata emra.

“Ne e dimë se kush janë ata persona për të cilët ne mendojmë se janë përgjegjës për këto krime dhe hetimet do të vazhdojnë dhe do të jenë të fokusuara mbi ta. Varësisht se si do të shkojnë hetimet në muajt e ardhshëm, individë të tjerë do të mund të përfshihen në atë listë“, thotë Williamson në këtë intervistë, duke përsëritur se nuk do të akuzohet UÇK-ja por individë me përgjegjësi të lartë.

Williamson tha gjithashtu se pjesa e hetimeve për trafikim të organeve do të vazhdojë dhe, nëse dëshmitë do të shtohen, atëherë jemi të hapur për ti përfshirë edhe këto krime në aktakuzat që do të ngrihen”.