Williamson nuk flet deri në gusht
Clint Williamson, kryeprokurori që po i heton dyshimet e ngritura në raportin e Dick Martyt, do t`i bëjë publike të gjeturat e hetimeve trevjeçare në gusht të këtij viti.
Lajme
Plani ka qenë që një gjë e tillë të ndodhë në pjesën e dytë të këtij muaji, menjëherë pas përfundimit të mandatit të kaluar të EULEX-it dhe fillimit të mandatit të ri, gjë që ka ndodhur më 15 qershor, mirëpo një gjë e tillë nuk është realizuar.
Burime të gazetës Tribuna kanë bërë të ditur se publikimi i rezultateve të hetimeve do të vonohet për pak muaj.
Se Williamson do të dalë me të gjeturat brenda pak muajsh, e ka pranuar zyrtarisht edhe Joau Sousa, zëdhënësi i SITF-it, Task Forcës që udhëhiqet nga kryeprokurori amerikan Williamson.
“Ne planifikojmë që të japim rezultatin e hetimeve në muajt e ardhshëm”, ka thënë Sousa në një prononcim për gazetën Tribuna.
Në qarqet diplomatike ka pasur një debat të gjerë për mënyrën se si duhet që Williamson të procedojë publikisht me rezultatet e hetimeve.
Disa nga shtetet mbështetëse të SITF kanë kërkuar raport publik ku do të qartësoheshin të gjitha pretendimet e Dick Martyt dhe kësisoj do të zbardhej e vërteta për tërë raportin e ish-senatorit të Këshillit të Evropës, ku disa nga drejtuesit e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës akuzohen për trafikim organesh njerëzore, gjoja të serbëve të zënë rob gjatë luftës në Kosovë.
Për këto akuza deri më tani janë bërë hetime edhe nga OKB-ja, por nuk janë gjetur prova, ndërsa autoritetet në Kosovë në vazhdimësi i kanë hedhur poshtë pretendimet e Dick Martyt, duke i quajtur fabrikime të politikës serbe dhe qarqeve antishqiptare, me qëllim dëmtimin e imazhit të shtetit të Kosovës.