Washingtoni fajëson Moskën për thyerje të armëpushimit në Ukrainë

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Rusisë që të ndalojë përkeqësimin e situatës në lindje të Ukrainës, duke dërguar armë dhe mbështetje tjetër për separatistët pro-rusë atje.

Bota

11/11/2014 10:16

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Jen Psaki ka thënë se Washingtoni dënon Rusinë për militarizimin në rritje të rajonit Donbas, nëpërmjet ofrimit të tankeve dhe pajisjeve të tjera të rënda për separatistët.

Komentet e saj janë bërë pak ditë pasi Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka thënë se monitoruesit e saj kanë parë kolona të mëdha armësh dhe ushtarësh në rajonin e Donjeckut.

Psaki ka akuzuar Rusinë dhe separatistët për “shkelje flagrante” të armëpushimit të 5 shtatorit, raporton RFE.

Ajo po ashtu ka thënë se kostoja nga sanksionet shtesë të Perëndimit për Moskën do të rritet, nëse ajo vazhdon me veprimet e saj destabilizuese dhe të rrezikshme.