VV thyen heshtjen: Marrëveshja u mbyll, koalicioni nënshkruhet të hënën

Sot janë takuar kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti dhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Lajme

30/11/2019 15:12

Pas takimit, liderët nuk u prononcuan për media, por Vetëvendosje ka thyer heshtjen pas takimit, shkruan lajmi.net.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Vetëvendosje ka bërë me dije se është përmbyllur plotësisht harmonizimi i programit qeverisës VV – LDK.

Gjithashtu, është bërë e ditur se në ditët në vijim do të ndahen përgjegjësitë për qeverisje – ku janë sqaruar pozicionet dhe kërkesat e të dy palëve.

“Sot në orën 13:00, në Kuvendin e Kosovës, u takuan kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Në këtë takim u përmbyll 100% harmonizimi i programit qeverisës duke u pajtuar për të gjitha çështjet e hapura. Nga dy modalitetet e ndryshme për kabinetin qeverisës me 12 ministri, që i kishin ofruar ekipet punuese të dy subjekteve tona, Kurti dhe Mustafa u përcaktuan për verzionin e parë. Në vijim do të përzgjedhen përgjegjësitë në qeverisjen e përbashkët, për çfarë u sqaruan pozicionet dhe kërkesat. Pra, u hap tema dhe u saktësua principi i zgjidhjes, e që përfundimisht do të përmbyllet të hënën me marrëveshje”, thuhet në shkrimin e Vetëvendosjes. /Lajminet/