VV për dialog me serbët e Kosovës dhe jo me Serbinë

Sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, i cili ka qenë i përfshirë edhe në bisedimet në mes Vetëvendosjes dhe Bllokut LDK-AAK-Nisma, ka deklaruar se Kosovës i duhet dialog me serbët e Kosovës dhe jo me Beogradin.

Lajme

11/08/2014 09:40

Gjatë një prononcimi për Koha Ditore, Molliqaj ka thënë se propozimin që dialogun ta udhëheq Vetëvendosja e kishte dhënë Ramush Haradinaj, dhe këta më pas kishin kërkuar që kjo gjë të vendosej si pikë në draftmarrëveshje.

“Propozimi që Vetëvendosje ta udhëheqë dialogun me Serbinë ka qenë propozim i koalicionit LDK-AAK-Nisma, më konkretisht propozim i Ramush Haradinajt. Ne pastaj e kemi marrë si obligim këtë dhe kemi kërkuar që të vendoset si pikë në draftmarrëveshje”.

“Ne nuk kemi nevojë për kësi dialogu me Serbinë, por kemi nevojë për dialog me serbët e Kosovës. Dialogu me Beogradin as nuk i integroi serbët e Kosovës, as nuk e bashkoi Mitrovicën”, ka thënë Molliqaj.

Sipas Molliqajt, Kosova ka nevojë që të filljë një dialog të ri me Brukselin, për marrëveshjet kontraktuale Kosovë-BE, te Departamenti për Zgjerim i BE-së, përfshirë këtu pastaj edhe dialogun me Serbinë, të cilën mund ta kërkojë Brukseli për fqinjësi të mirë për të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor të cilat synojnë të anëtarësohen  në BE.

“Kjo nënkutpn që njëherë duhet të bëjëmë dialog me Brukselin për dialogun me Serbinë dhe kursesi nuk duhet të vazhduar gjurmëbve të dialogut të Thaçit. Për më tepër duhet të hetohet dialogu i deritashmë trevjeçar i  z.Thaçi dhe znj.Tahiri, i cili nuk ishte transparent ndaj Kuvendit dhe komisioneve parlamentare të tij, si dhe shkeli dy rezolutat e Kuvendit, atë të datës 18 tetor 2012 dhe 6 qershor 2013”.

Sipas Vetëvendosjes, temat e dialogut me Serbinë do të përcaktohen pas dialogut të Kosovës me BE-në dhe madje nga kornizat e zgjerimit, siç parasheh BE-ja për fqinjësi të mirë. Por, sipas Lëvizjes së Albin Kurtit, Serbia duhet të bëjë ndryshimin e Kushtetutës ku Kosova ende figuron si pjesë e saj, njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, kërkim falja për krime lufte dhe dëmshpërblimi për vuajtjet dhe humbjet e njerëzore dhe materiale të shqiptarëve, kthimi i menjëhershëm i të gjithë të pagjeturve etj.

“Ne jemi për marrëdhënie të mira fqinjësore edhe me Serbinë, vetëm se i takon Serbisë të ndryshojë qëndrimet dhe veprimet e saj e jo Kosovës”, ka thënë Molliqaj, shkruan sot Koha Ditore.