VV, PDK, LDK e AAK garojnë në një listë me 10 kandidatë në Komunën e Graçanicës

Pas gati katër vitesh në pozitën e nënkryetarit të Komunës së Graçanicës, Leutrim Ajeti ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për kryetar të komunës në zgjedhjet lokale të këtij viti. Ajeti do të garojë nën ombrellën e “Aleancës Shqiptare”, një listë e përbashkët që, për herë të parë, bashkon subjektet politike shqiptare në Graçanicë – Vetëvendosjen,…

Lajme

13/08/2025 21:43

Pas gati katër vitesh në pozitën e nënkryetarit të Komunës së Graçanicës, Leutrim Ajeti ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për kryetar të komunës në zgjedhjet lokale të këtij viti.

Ajeti do të garojë nën ombrellën e “Aleancës Shqiptare”, një listë e përbashkët që, për herë të parë, bashkon subjektet politike shqiptare në Graçanicë – Vetëvendosjen, LDK-në, PDK-në dhe AAK-në – si dhe figura të pavarura dhe aktivistë lokalë.

Sipas Ajetit, kjo nismë përfaqëson një hap historik drejt bashkëpunimit dhe përfaqësimit të fuqishëm të komunitetit shqiptar në këtë komunë me shumicë jo-shqiptare, raporton lajmi.net

“Me kënaqësi të madhe dhe përgjegjësi të lartë, ndihem i privilegjuar që emri im është përzgjedhur si kandidat për kryetar nga lista e përbashkët shqiptare. Zotohem të punoj shumëfish më shumë për të rregulluar jetën e qytetarëve tanë,” deklaroi Ajeti.

Ai theksoi se programi qeverisës për mandatin e ardhshëm katërvjeçar do të përfshijë investime në të gjitha pjesët e komunës, pa dallime etnike apo fetare, duke u shërbyer të gjithë qytetarëve pa përjashtim.

Lista e Aleancës Shqiptare për Asamblenë Komunale do të ketë 10 kandidatë, nga të cilët katër do të jenë gra, një përfaqësim që Ajeti e cilëson si të domosdoshëm për një përfaqësim më të drejtë dhe gjithëpërfshirës.

Ai ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të prezantojë në detaje programin qeverisës si dhe listën e plotë të kandidatëve për Asamblenë Komunale./Lajmi.net/