VV paraqet problemet lidhur me Rezolutën në Këshillin e Evropës
Nënkryetarja e Kuvendit Aida Dërguti dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca në një konferencë për media, kanë paraqitur problemet lidhur me Rezolutën më të fundit të miratuar në Këshillin e Evropës.

Lajme
Sipas Vetëvendosjes, Serbia po e vazhdon fushatën e saj obstruktive kundër Kosovës njëjtë siç bëri muaj më parë në UNESCO. Serbia po i përdor të gjitha kapacitetet e saj diplomatike për ta penguar Kosovën që të anëtarësohet nëpër institucionet ndërkombëtare. Në Këshillin e Evropës Serbia arriti që në raportin periodik për Kosovën t’i përfshijë amendamentet të cilat u integruan në tekstin e rezolutës në 7 dhjetor dhe u votuan me 28 janar në Asamblenë e Përgjithshme.
“Dy prej këtyre amendamenteve janë veçanërisht problematikë. Njëri amendament kërkon krijimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe. Kurse amendamenti tjetër kërkon rritjen e rolit të UNMIK-ut në fushën e drejtësisë dhe sigurisë. Pas gjithë kësaj lufte që po e bën Serbia kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare, është e pafalshme se si kryeministri Mustafa po e vazhdon dialogun me Serbinë në të njëjtat linja sikur më parë”, tha Glauk Konjufca.
“Të gjitha këto veprime të Beogradit kundër Republikës sonë do të mund të shfrytëzoheshin nga Qeveria e Kosovës që ne ta përmirësonim pozicionin tonë politik karshi Serbisë. Por në vend që të ndodh kjo, Qeveria po e vazhdon avazin e vjetër të kompromiseve, me ç’rast, pala që po lëshon pe është Kosova”, tha Konjufca.
Konjufca theksoi se raporti për Kosovën nuk është vetëm rezultat i një fushate të egër të Serbisë kundër shtetit tonë, por është po ashtu tregues i një pasiviteti të diplomacisë së Kosovës, të udhëhequr nga zv.Kryeministri Thaçi. Ai tha se mbi 2/3 e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Si është e mundshme që shumica e këtyre delegacioneve nacionale t’i mbështesin amendamentet e Serbisë dhe jo ato të Kosovës të paraqitura nga delegacioni i Shqipërisë.
Ndërkaq, nënkryetarja e Kuvendit Aida Dërguti paraqiti detajet e sesionit të fundit dhe veprimet e delegacionit të Kosovës përballë raportit të deputetit spanjoll Augustin Conde ku amendamentet e Serbisë janë përkrahur me unanimitet dhe janë bërë pjesë integrale e raportit për Kosovës. Në këtë takim pra me 7 dhjetor nuk kanë qenë pjesëmarrës delegacioni i Shqipërisë, ndërkohë që prezent ka qenë delegacioni i Kosovës.
Dërguti sqaroi edhe njëherë pozicionin që ka delegacioni i Kuvendit të Kosovës me statusin e të ftuarit mysafir në Komisionin për Çështje politike dhe Demokraci që ia mundëson pjesëmarrjen ku ndonjëherë i jepet e drejta e fjalës por nuk ka të drejtë vote as të drejtë propozimi për ndonjë çështje.
“Për këtë rast Kuvendi i Kosovës ka filluar koordinimin me Kuvendin e Shqipërisë qysh në fillim të janarit me ç’rast janë hartuar amendamentet, të cilat janë dorëzuar zyrtarisht në Këshill nga delegacioni i Shqipërisë. Që nga moment i shkuarjes në Strasburg, kanë filluar takimet e delegacionit të Kosovës me delegacione të ndryshme të vendeve anëtare për ta sqaruar kundërshtimin tonë për amendamentet e Serbisë, duke u kërkuar përkrahje për amendamentet tona. Ndërkohë delegacioni i Shqipërisë së bashku me deputeten nga Maqedonia Ermira Mehmeti, kanë mbledhur nënshkrimet e nevojshme për dorëzimin e amendamenteve,” tha Dërguti.
Pra delegacioni i Kosovës së bashku me atë të Shqipërisë, kanë vepruar si një ekip e si rezultat u arrit që amendamentet tona të marrin përkrahje të madhe, duke qenë shumë afër suksesit, pra vetëm për një votë.
Nënkryetarja e Kuvendit theksoi se bashkëpunimi në këtë rast na tregoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërshqiptar, sepse nga një situatë e pafavorshme që kishim në fillim kur amendamentet e Serbisë ishin përkrahur me unanimitet brenda komisionit në dhjetor, arritëm që votimin në seancë ta ndajmë në dysh.
Ajo tërhoqi vëmendjen se ky bashkëpunim i duhur dhe i domosdoshëm, do të vazhdojë me koordinim shumë intensiv paraprak meqë herën e ardhshme do të diskutohet ngritja e nivelit të pjesëmarrjes së Kosovës në Këshill të Evropës.