VV në vitin 2009 paralajmëroi humbjen e 6.600 hektarëve me Malin e Zi

Problemi me vendosjen e kufirit ndërmjet Kosovës e Malit të Zi, nuk është i muajve të fundit. Paralajmërimi se do të ketë telashe me vendosjen e këtij kufiri është bërë shtatë vjet më parë, më saktësisht që në vitin 2009.

Lajme

13/07/2016 16:36

Në atë kohë, ishte Lëvizja Vetëvendosje e cila si ende nuk kishte garuar për të hyrë si forcë politike në Kuvend.

Me 5 nëntor 2009, ishte aktivisti i kësaj lëvizjeje, Liburn Aliu, tash  drejtor i Urbanizimit në komunën e Prishtinës, ai që kishte deklaruar ën emër të kësaj organizate se Kosovës mund t’i merren rreth 6.600 hektarë tokë.

Krejt kjo, pas vendosjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Në atë kohë temë nuk ishte ky kufi, por ai me maqedoninë i cili gjithashtu kishte pasur problem të përcaktohet pasi banorët e fshatit Debëllde të Vitisë, ankoheshin se pronat po u mbetën jashtë Kosovës, transmeton lajmi.net.

Sipas qëndrimit të  “Vetëvendosjes”, në vitin 2009, demarkacioni I kufirit me Malin e Zi, do të ishte një ndryshim i kufijve të përcaktuar në Kushtetutën e vitit 1974.

 “Në vitet e 90-ta, kufiri është lëvizur deri në pjesën që përfshin pjesën mbi Liqenat dhe malin e Liqenatit komplet në territorin e Kosovës dhe si kufi ka qenë lumi Bjelluha. Tash, me Marrëveshjen e Kumanovës, Kosova i humb 3,700 hektarë të tjerë. Pra, për 2,900 bëhej fjalë pas viteve të 90-ta dhe pastaj 3,700 hektarë të tjerë”, ka thënë Liburn  Aliu në vitin 2009 në një deklaratë të dhënë për radion Evropa e Lirë.

Por, shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi, sipas deklarimit të Qeverisë së Kosovës të para shtatë vjetëve, është i lehtë.

Në atë kohë, zëdhënësi i ekzkutivit,  Memli Krasniqi, kishte deklaruar se  nuk ka ndonjë parashikim se do të këtë problem sikurse me përcaktimin e kufirit me Maqedoninë.

“Ne nuk kemi asnjë çështje kontestuese me Malin e Zi sa i përket demarkacionit. Ky është një proces teknik, i cili do të përcaktohet pas caktimit të një afati kohor me pajtimin e të dyja palëve”,kishte thënë Krasniqi.

Në Planin e Ahtisarit, çështja e kufirit me vendet fqinje, përveç me Maqedoninë, ishte parashikuar të zgjidhet duke marrë parasysh “vijën kufitare të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ashtu siç kanë qenë këto vija kufitare më 31 dhjetor, 1988”.

Në linkun më poshtë mund ta gjeni artikullin e plotë të publikuar me 5 nëntor 2009 nga radio Evropa e Lirë.

http://www.evropaelire.org/a/1870415.html