VV-ja e Nisma të kënaqur, AAK-ja dhe LDK-ja ankohen

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri vlerësoi se në zgjedhjet e fundit nacionale, një ndikim të madh ka pas edhe biznesi, por që kësaj radhe paraja ka pasur ndikim më të vogël.

Lajme

26/06/2014 22:38

Paraja ka pas ndikim më të vogël në këto zgjedhje, tha Haziri në emisionin Rubikon të KTV-së.

“Biznesi ka pas një ndikim të madh. Ka qenë jashtëzakonisht vlerësues në këto zgjedhje. Por ndikimi i parasë në lëto zgjedhje ka qenë më i vogël. Vota në Kosovë përfundimisht mendoj se po lokalizohet”, tha Haziri.

Ndërkaq, Dardan Molliqaj, sekretar i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se përfaqësimi i subjektit të tij në Kuvend do të jetë më i fuqishëm se ai i kaluari.

“Është një moment politik që VV është faktorizuar, edhe pse këtë nuk e kanë pritë. Jemi subjekti që jemi rrit më së shumti nga subjektet politike. Grupi jonë parlamentar është më i fuqishëm se ai i kaluari”, konsideron Molliqaj.

Sipas Donika Kadaj-Bujupi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pushteti ka provuar që edhe kësaj radhe të blejë votën.

Ndërsa, nënkryetari i Nismës, Bilall Sherifi tha se Nisma doli befasia e këtyre zgjedhjeve, ashtu edhe siç kishin premtuar. Ai e vlerësoi garën si jo të barabartë.