VV i shkruan Quint-it, kushtëzon edhe formimin e qeverisë së përkohshme

Lëvizja Vetëvendosje ia ka dërguar Kuint-it dokumentin e quajtur 'Draft-marrëveshjen për kornizën operacionale dhe politike për qeveri emergjente'. Sipas këtij dokumenti, blloku opozitar LDK-AAK-NISMA do ta ketë mbështetjen e VV-së në Kuvend vetëm nëse pajtohet t’i rishikojë dialogun me Serbinë dhe procesin e privatizimit. 

Lajme

27/06/2014 09:15

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i propozuar për mandatar nga ‘blloku opozitar’, mund të mos e çojë deri në fund mandatin e kryeministrit edhe nëse nuk i paraqiten pengesa kushtetuese, për shkak se Lëvizja Vetëvendosje kushtëzon mbështetjen e koalicionit me krijimin e “një qeverie emergjente”.

Blloku LDK-AAK-NISMA do ta ketë mbështetjen e VV-së në Kuvend vetëm nëse pajtohet t’i kthejë dialogun me Serbinë dhe procesin e privatizimit në pikën zero, shkruan e përditshmja Koha Ditore.

Përkrahja kushtëzohet edhe me marrje të masave ndëshkuese ndaj atyre që kanë shkelur ligjet në procesin e privatizimit.

Këto qëndrime u janë bërë të ditur edhe ambasadorëve të Quint-it (Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë).

“Lëvizja politike e prirë prej Albin Kurtit është gjithashtu për vazhdimin e dialogut me Brukselin ‘për të ripërcaktuar marrëdhëniet e Kosovës me BE-në në marrëdhënie të plota kontraktuale si të gjitha shtetet e tjera të rajonit’, pasi që ‘Kosova nuk është më afër BE-së’, edhe pas koncesioneve që ka bërë në negociatat e tre vjetëve të fundit me Beogradin zyrtar”, shkruan KD.

Në dokument gjithashtu kërkohet dërgimi i marrëveshjeve me Serbinë në Komisionin e Venecias për interpretim të legjitimitetit të tyre.