VV, Guxo e Alternativa rreth koalicionit të paralajmëruar parazgjedhor: Jemi bashkë

Ndonëse gjatë ditës ishte paralajmëruar koalicioni parazgjedhor ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje me partitë Guxo dhe Alternativën, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se koalicion formal i dëshiruar nga të tri partitë nuk ka mundur të procedohet sot formalisht në KQZ, për shkak të afatit të shkurtër ligjor dhe pamundësisë…

Lajme

30/08/2024 20:33

Ndonëse gjatë ditës ishte paralajmëruar koalicioni parazgjedhor ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje me partitë Guxo dhe Alternativën, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se koalicion formal i dëshiruar nga të tri partitë nuk ka mundur të procedohet sot formalisht në KQZ, për shkak të afatit të shkurtër ligjor dhe pamundësisë së përmbushjes së disa detyrimeve statutare.

Në një komunikatë të përbashkët për media, këto tri parti thonë se “do të jenë bashkë edhe në procesin e ardhshëm zgjedhor”.

“Duke u bazuar në partneritetin e mirë dhe të shëndoshë në mes partnerëve të koalicionit, Lëvizjes Vetëvendosje!, Partisë Guxo dhe Partisë Alternativa, njoftojmë opinionin e gjerë, anëtarësinë tonë, mbështetësit tanë se koalicioni ynë formal i dëshiruar nga të tri partitë tona, nuk ka mundur të procedohet sot formalisht në KQZ, për shkak të afatit të shkurtër ligjor dhe pamundësisë së përmbushjes së disa detyrimeve statutare”.

“Ne jemi duke punuar intensivisht në hartimin e programit, me të cilin do të shpalosim së bashku ofertën tonë për qytetarët në zgjedhjet e rregullta parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt 2025. Së bashku synojmë që me votën e qytetarëve të vazhdojmë partneritetin në qeverisjen e ardhshme si dhe punët e mira për Republikën e Kosovës”, përfundon komunikata.

Gjatë ditës anëtari i kryesisë së Guxo, Haxhi Avdyli, kishte konfirmuar për KosovaPress se kanë arritur dakordim për koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje dhe se i njëjti do të zyrtarizohej shumë shpejt.

KosovaPress ka tentuar të marrë një konfirmim edhe nga kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, mirëpo e njëjta nuk ka qenë e qasshme.

Subjektet politike kishin afat deri sot në ora 16:00 t’i deklarojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) koalicionet parazgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.