VV e pakënaqur me qeverisjen e LDK-së në Podujevë

Vetëvendosje në Podujevë ka reaguar rreth mbledhjes XI të Kuvendit Komunal në Besianës në të cilën mes tjerash u diskutua edhe: Raporti Financiar për periudhën janar-shtator 2014.

Lajme

16/11/2014 14:13

Lidhur me Raportin Financiar, asamblisti i Vetëvendosje Bahri Selimi, tha se po bëhet gati një vit nga zgjedhjet e fundit lokale, dhe qeverisja e re ndonëse e kishte një premtim për një qeverisje të përgjegjshme, një gjë e tillë nuk po ndodhë.

“Fatkeqësisht, në të gjitha fushat, si në arsim, në shëndetësi, në mirëqenie sociale, në kulturë rini dhe sport, ka shumë ankesa nga qytetarët të cilët i takojmë çdo ditë në terren. Është shqetësuese për ne si Vetëvendosje që nga 6,200,014.91 euro të ndara për investime kapitale, deri tani (për nëntë muaj) janë shpenzuar vetëm 2,170,630.70, apo 35.01%. Kur kemi parasysh nevojat e shumta që kanë qytetarët e Komunës tonë, kjo ngecje në realizimin e shpenzimeve kapitale është e papranueshme”, tha Selimi.

Ai shtoi se në këtë raport kemi hasur një rritje të madhe të buxhetit për dru, derivate për gjeneratorë, reklama dhe konkurse, e të tjera.

“Tek të hyrat vetjake kemi po ashtu ngecje, si për shembull tek licencat dhe lejet nga planifikimi për 212,000 euro, janë realizuar vetëm 20% apo 43,095 euro. Edhe të hyrat nga qiraja që marrin prej shfrytëzimeve të pronave komunale, nga 60,000 euro të parapara janë realizuar vetëm 33,473 euro, apo rreth 56%”, tha Selimi.

Asamblistët e Vetëvendosjes përmendën një varg problemesh në pikën kur u diskutua për përgatitjen e për vitin shkollor 2014-2015. Ata kanë vizituar disa shkolla të mesme dhe kanë ndjekur me shumë vëmendje tërë procesin e punës në sektorin e arsimit, përfshirë edhe shpalljen e konkurseve dhe përzgjedhjen e personelit të ri arsimor.