VV e Nisma vazhdojnë heshtjen, s’flet askush për takimin mes Kurtit e Limajt – Krejt çka u zbulua jozyrtarisht nga mediat
Kanë kaluar rreth dy orë që kur u raportua për përfundimin e takimit mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe atij të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, por asnjë nga dy partitë nuk ka dhënë ndonjë prononcim zyrtar. Takimi u zhvillua sot në lagjen “Pejton” në Prishtinë, ndërsa informacionet që kanë dalë deri tani janë…

Lajme
Kanë kaluar rreth dy orë që kur u raportua për përfundimin e takimit mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe atij të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, por asnjë nga dy partitë nuk ka dhënë ndonjë prononcim zyrtar.
Takimi u zhvillua sot në lagjen “Pejton” në Prishtinë, ndërsa informacionet që kanë dalë deri tani janë të gjitha jozyrtare, të siguruara nga mediat përmes burimeve të tyre, transmeton lajmi.net
Sipas Klan Kosovës, burime të afërta me zhvillimet brenda takimit kanë bërë të ditur se sot nuk është diskutuar për postin e kryetarit të Kuvendit, ndonëse kjo është konsideruar si një nga temat më të ndjeshme në përpjekjet për zgjidhjen e ngërçit institucional.
Po ashtu, burimet e njëjta kanë bërë të ditur se pritet që Kurti dhe Limaj të zhvillojnë edhe një takim tjetër, i cili mund të jetë vendimtar për arritjen e një marrëveshjeje.
Ndërkohë, Insajderi, duke cituar burime të veta, raporton se tema kryesore e diskutimit ka qenë zgjidhja e ngërçit politik në Kuvendin e Kosovës. Po ashtu, është përmendur se në tavolinë ka qenë edhe mundësia që Nisma të udhëheqë dy ministri në rast të një marrëveshjeje – konkretisht Ministrinë e Infrastrukturës dhe atë të Arsimit.
Lajmi.net ka kontaktuar me përfaqësues të të dyja partive për të marrë një qëndrim zyrtar rreth takimit dhe përmbajtjes së tij, por deri më tani nuk ka pasur asnjë përgjigje nga zyrtarët e VV-së dhe të Nismës.
Kujtojmë se të hënën pritet të mbahet përpjekja e 50-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ndërkohë që mungesa e një marrëveshjeje vazhdon të mbajë të bllokuara institucionet vendore./lajmi.net/