VV akuzon PDK-në dhe Beogradin për zvarritje të formimit të institucioneve

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar sot, pas vendimit për shtyrjen e seancës së paralajmëruar të Kuvendit të Kosovës për 12 shtator, duke akuzuar për këtë Partinë Demokratike të Kosovës dhe Beogradin. 

Lajme

11/09/2014 20:58

Sipas VV-së, “në një përpjekje për krijimin e mekanizmave institucionalë paralelë, sot PDK-ja e pashpresë ndërmori edhe hapin e fundit për pengimin e krijimit të institucioneve: së bashku me Listën Serbe e shtynë për një javë seancën konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Kjo Lëvizje është e bindur që veprimi i Flora Brovinës nuk ishte vendim i saj personal, por një strategji e qartë partiake.

“Jemi thellësisht të pakënaqur që znj. Brovina dhe PDK-ja iu nënshtruan një kërkese fare të paarsyeshme të Listës Serbe. Nuk ka pasur kurrfarë justifikimi për shtyrjen e një seance edhe ashtu tejet të vonuar vetëm e vetëm pse Thaçi nuk dëshiron ta lëshojë pushtetin”, thuhet në reagimin e VV-së.

“Lëvizja VV vlerëson se shtyrja e seancës ishte e qëllimshme dhe e nxitur drejtpërdrejt nga partia e Kryeministrit të shkuar, e cila nuk po lë gur pa lëvizur në funksion të evitimit të ngjarjes e cila do ta shpallte fillimin e humbjes përfundimtare të krimit të organizuar në Kosovë. Në fakt, kjo nxitje e PDK-së u parapri nga urdhri publik nga Beogradi mbi atë se si duhet të duket Qeveria e ardhshme e Kosovës. Mirëpo, Serbia nuk mund të vendos për përbërjen e Qeverisë së Kosovës dhe kohën e formimit të institucioneve të Republikës sonë”, thuhet pos tjerash në këtë reagim.