VV, 300 milion investime në Trepçë dhe dy blloqe të reja në KEK

Lëvizja Vetëvendosje ka premtuar se me ardhjen në qeveri, brenda mandatit të parë do të rivitalizojë Trepçën duke investuar 300 milion euro, dhe do të hap dy termocentrale të reja në KEK, B3 dhe B4

Lajme

19/05/2014 17:22

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti  tha se me 8 qershor qytetarët e Kosovës, do të vendosin se a janë për përsëritje apo për ndryshim. Ai sot gjatë prezantimit zyrtarë të kandidatëve për deputet të Kuvendit të Kosovës, tha se me fitoren e Vetëvendosjes fiton populli dhe shteti. 

Kurti tha se ata do ta rivitalizojnë Trepçën, dhe do të ndërtojnë dy kapacitete të reja energjetike. 

“Me 8 qershor qytetarët do të vendosin se kah do të shkoj Kosova nga prodhimi apo nga shitja, nga sovraniteti apo gjymtimi territorial”. 

“Do ti kenë dy mundësi para vetës, përsëritjen dhe ndryshimin.

Përsëritjen s’kemi pse e komentojmë se e kemi parë, ndryshimi është Lëvizja Vetëvendosje”. 

“Me 8 qershor duhet të ngadhënjej e mira mbi të keqen, pra duhet të fitoj populli, ta sjellë demokracinë që i shërben atij dhe një herë e përgjithmonë ta nxjerrim në pension këtë qeveri, e cila sërish do t’ia sheh hajrin Vetëvendosjes, sepse ne kemi sistemin pensional më të mirë”. 

“Kur fitojnë paritë e tjera atëherë fitojnë militant e dhe familjarët  tyre, ndërkaq, kur fiton Vetëvendosja atëherë fitojnë qytetarët e Kosovës”. 

Kurti ka thënë se ajo çka shohim në Kosovë, nuk është zhvillim ekonomik por, një afarizmi komercial për shkak se qeveria nuk është qeveri e zhvillimit ekonomik por, qeveri e kontabilitetit financiar. 

Ai ka thënë se ata do të investojnë në industri. 

“ Do të hapim edhe dy kapacitete te reja energjetike B3 dhe B4, jo për shpenzim nga amvisëria por të prodhojmë energji për industrinë tonë”. 

“Theks të veçantë sigurisht që ka rivitalizmi i Trepçës, ku ne do të investojmë 300 milion euro investime në mandatin e parë qeverisës sepse duam që ti prodhojmë 50 mijë ton zink elektrolit në vit, dhe 60 mijë ton plumb. Një vend pune nën tokë i hap 4 vend pune mbi tokë”, tha Kurti. 

Ai ka thënë se do të bëjnë investime në shëndetësi dhe arsim. 

Ndërkaq, Shpend Ahmeti, kryetar i Komunës së Prishtinës, tha lista për deputetë e Lëvizjes Vetëvendosje është gjithëpërfshirëse dhe Kosova, ka nevojë për ndryshim dhe ndryshimi i vetëm është Lëvizja Vetëvendosje.