Vullnetarët e Korpusit të Paqes shpërndahen nëpër Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka pritur të martën drejtoreshën e Korpusit të Paqes, Carrie Hessler-Radelet, me bashkëpunëtorë, të shoqëruar edhe nga ambasadorja e SHBA-ve në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson.

Lajme

19/08/2014 18:27

Presidentja Jahjaga ka shprehur mirënjohjen e saj për vendimin e Korpusit Amerikan të Paqes për ta shtrirë programin e vullnetarëve të saj në Republikën e Kosovës, duke e bërë Kosovën vendin e 140-të në botë ku vepron kjo organizatë, thuhet në kumtesën e Presidencës.

Gjatë takimit, Jahjaga e ka vlerësuar përmbylljen e suksesshme të programit trajnues intensiv, gjatë së cilit 25 vullnetarë të rinj amerikanë kanë mësuar për kulturën dhe traditën kosovare, i janë nënshtruar kurseve intensive të gjuhës shqipe dhe kanë ndjekur trajnime teknike. Ajo ka theksuar se kontributi i këtyre vullnetarëve është shumë domethënës për ato vende ku ata do të punojnë drejtpërdrejt me fëmijët nëpër shkolla, por edhe për forcimin e marrëdhënieve midis dy popujve.

Si njoftohet në kumtesë, Carrie Hessler-Radelet falënderoi presidenten Jahjaga, institucionet e Republikës së Kosovës dhe qytetarët për pritjen e ngrohtë që ia kanë bërë programit të Korpusit të Paqes dhe 25 vullnetarëve amerikanë, të cilët tashmë janë vendosur në shumë qytete të Kosovës.