Vullin krahason Gjakovën me qytetin Raka në Siri

Ekzistojnë dy vende në rruzullin tokësor ku të krishterët nuk mund të hyjnë, njëra është Raka (Raqqa), selia e islamikëve diku në Siri dhe e dyta është Gjakova. Është viti i tretë që serbët të cilët janë lindur në Gjakovë nuk mund ta vizitojnë qytetin e tyre të lindjes, të paktën sa për t’u lutur, asgjë tjetër.

Lajme

06/01/2015 20:59

Këto komente i ka bërë ministri i Punës, Punësimit dhe Çështjeve sociale në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vullin, gjatë vizitës së tij në fshatin Zoqishtë të Rahovecit, ku ka marr pjesë në festën e Krishtlindjes Ortodokse.

Sipas tij, suksesi i përgjithshëm i serbëve në këto hapësira do të varet nga numri i atyre që do të kthehen për të jetuar në Kosovë, pastaj numri i fëmijë që do të lindin këtu etj.

“Nuk mund të flasim për një festë të lumtur kur nuk mundet secili të vijë në kishën e vet për t’u lutur… është viti i tretë me radhë që lumturia e kësaj feste na prishet me Gjakovën.. Unë jam sonte në Zoqishtë jo vetëm se ky vend është i shenjtë, por sepse ky vend i shenjtë është në mënyrë konstante cak i vandalizmit të ndryshëm, andaj dëshiroj të tërheq vëmendjen se ky vend nuk mjafton të mbrohet, por duhet të ruhet”, ka thënë Vullin, raporton KosovaPress.

Ai tha se një gjë e tillë është e pakuptimtë, andaj ka kërkuar angazhimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë për ta zgjidhur këtë problem. Sipas tij, arsyeja pse ka ndodhë një gjë e tillë në Gjakovë është se vitet e kaluara askush nuk është dënuar.

Në anën tjetër, ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, i cili po ashtu ka marrë pjesë në këtë festë, tha se kushti i parë serioz për kthimin e serbëve të shpërngulur është dhënia e garancisë për sigurinë e tyre nga ana e qeverisë dhe kryeministrit të Kosovës.

Ai u shpreh i bindur se një gjë e tillë do të ndodhë në një periudhë të afërme.

Sipas tij, mjetet financiare janë të nevojshme, por jo edhe çelësi për kthimin e serbëve, ngase serbët sot nuk u lejuan sërish të kthehen në qytetin e tyre, vetëm për të kryer ritet fetare në kishën e tyre dhe asgjë më shumë.

“Veprimet e njerëzve të egër, të cilët kanë penguar sot vizitën e qytetarëve serbë në Gjakovë, le t’ju shërbejnë nderit të tyre, ndërkaq ne që nesër do të kërkojmë përgjegjësi nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës”, ka thënë Jabllanoviq. (KosovaPress)