Vulin “then udhën”, shkon në Graçanicë
Aleksandar Vulin do të marrë pjesë në ceremoninë e ndezjes së dushkut në Graçanicë. Ai ka ndryshuar planet pasi që i është refuzuar vizita në Gjakovën. Refuzimi është bërë qysh më 3 janar.

Lajme
Ministri serb pa Portofol i ngarkuar për Kosovën, Aleksandar Vulin do të marrë pjesë sot në ceremoninë e ndezjes së dushkut në Manastirin e Graçanicës, pasi që i ka dështuar vizita në Gjakovë.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, ka marrë vendim sot që të ndalojë vizitën e Vulin në Gjakovë, pas kërkesës së kryetares, Mimoza Kusarit.
“Vulinit i është lejuar vizita në Graçanicë”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Ky zyrtar serb kishe planifikuar që ta vizitojë sot Gjakovën për të marrë pjesë në ceremoninë e ndezjes së dushkut për Krishtlindje Ortodokse Sllave në Manastirin ortodoks në Gjakovë.
Në letrën të cilën Ministri i Punëve të brendshme, Bajram Rexhepi i kishte dërguar më 3 janar Përfaqësuesit Special të Bashkimit Europian në Kosovë, Samuel Zbogar, për këtë vizitë, thuhet se Vulinit i lejohet ta vizitojë Patriarkanën e Pejës, Mitrovicën dhe Graçanicën, por jo edhe Gjakovën.
Letra e Ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi drejtuar Përfaqësuesit të BE’së në Kosovë, Samuel Zbogar rreth vizitës së Vulinit
Në këtë letër, Ministri Rexhepi thotë se Policia e Kosovës do të ofrojë shërbimin e eskortës nga pikë-kalimi kufitar në Merdar. Nuk do të lejohen të futen persona të armatosur. Vulin pritet të ndalohet në këtë pikë-kalim, në përputhje me ligjet e Kosovës.
“Ju lutem të keni parasysh se kjo leje është dhënë në përputhje me ligjet të cilat duhet t’i respektojnë të gjithë zyrtarët e Serbisë të cilët dëshirojnë të vizitojnë Kosovën”, thuhet në këtë letër.