Vulin të shpallet Person Non Grata

Forumi Rinor i LDK’së thotë se solidarizohet me vuajtjet, sakrificat dhe kujtimin e nënave shqiptare të cilat humbën më të dashurit e tyre në luftën e fundit, respekt për kurajën unike të nënave gjakovare.

Lajme

07/01/2014 20:00

Forumi i Rinisë i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës që Aleksandër Vulinin ta shpallë Person Non Grata.

Përmes një komunikate, ky organ i të rinjve të LDK’së thotë se solidarizohet dhe bashkëndjen me vuajtjet, sakrificat dhe kujtimin e nënave shqiptare të cilat humbën më të dashurit e tyre në luftën e fundit, respekt për kurajën unike të nënave gjakovare.

“Serbia masakroi, vrau e dhunoi. U kryen krime gjenocidale nga forcat ushtarake, paramilitare dhe policore serbe si dhe nga regjimi e shteti serb”.

“Përveç me tendencat provokuese e fyese ata nuk ngopen, tanimë edhe përmes institucioneve dhe zyrtarëve shtetëror deklarohet se shqiptarët nuk janë njerëz, e këto deklarata dhe natyra e tyre nuk është hera e parë që dëgjohen”.

“Të flasësh për njerëzi dhe vlera njerëzore duhet të jesh i tillë. Nuk ka asnjë pikë njerëzi dhe vlerë njerëzore në atë që ka bërë Serbia dhe shteti serb në Kosovë”.

“Nuk ka asnjë pikë njerëzi dhe vlera njerëzore në gjenocid, në masakra, vrasje dhe dhunime. Nuk ka asnjë pikë njerëzi dhe vlera njerëzore në groposjen e më të dashurve tanë në varreza masive dhe betonimin e trupave të tyre”.

“Kështu ndodh kur drejtësia vonohet ose nuk vihet në vend. Kur agresori luan rolin e viktimës. Kur krimineli në vend se të kërkoj falje për krimet gjenocidiale, fyen rënd të mbijetuarit dhe kujtimin për ta. Në vend se, nëse jo të kërkojë falje, të paktën le të hesht!”