Vulin: Kemi një lloj presioni, por nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës

Ministri serb i Punës, Punësimit dhe Çështjeve Sociale dhe të Luftëtarëve Aleksandar Vulin ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk vjen parasysh dhe se deklarata e nënkryetares së Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, paraqet një lloj presioni dhe qëndrim personal, e jo qëndrim të institucionit.

Lajme

02/03/2015 13:53

“Ky është një lloj presioni, nuk është qëndrim i institucioneve, është qëndrim i një individi, një funksionari, që nuk mund të flasë në emër të institucioneve evropiane”, u ka deklaruar Vulin gazetarëve në Beograd, raporton KosovaPress.

Vulin ka shtuar se sa i përket Serbisë, “njohja e Kosovës s’vjen parasysh” dhe se “rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian nuk shpie përmes Kosovës, porse përmes 35 kapitujve, nga të cilët njëri ka të bëjë me Kosovën”.

Një ditë më parë, mediat publikuan deklaratën e Lunacek, e cila tha se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe në fund njohja e pavarësisë së Kosovës paraqesin kusht për hyrjen e Serbisë në BE. Për këtë ajo ka thënë se nuk ekziston ndonjë dokument i shkruar, porse kjo paraqet konsensus politik në Bruksel.