Vulin akuzon EULEX-in për aksionin në Zubin Potok
Aleksandar Vulin thotë se EULEX duhet të bashkëpunojë me organet e rendit në veri. Ai kritikoi ata se në aksionin e sotëm në kapje të Radovan Radiq-it, EULEX është sjellë “sikur të ishin të vetmit në botë”.
Lajme
Ministri i ngarkuar për Kosovën në Qeverinë teknike të Serbisë, Aleksandar Vulin, ka kërkuar nga përfaqësuesit e EULEX-it që të njoftojnë organet lokale të rendit para se të ndërmarrin aksione.
Duke komentuar aksionin e EULEX-it të bërë sot në fshatin Zubq të Zubin Potokut, në kapje të Radovan Radiq-it, i dyshuar për vrasjen e policit Enver Zyberit, Vulin ka thënë për mediat serbe se askush në Veri nuk është kundër sundimit të ligjit.
“EULEX duhet të kuptojë se nuk mund të sillen sikur të jenë të vetmit në këtë botë. Ata duhet që për aksionet e veta të njoftojnë organet lokale qeverisëse në Veri të Kosovës. Gjithashtu, është dashur të njoftohen edhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës në Veri”.
“Pa bashkëpunimin me serbët e Veriut, asnjëherë nuk do të ketë rezultate të mira”.
Ndërkohë, Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, ka bërë të ditur se sot në mëngjes Task Forca e Mitrovicës (TFM), e ndihmuar nga policia e EULEX-it, ka kryer një operacion në fshatin Zupq të Zubin Potokut në lidhje me një urdhër-arrest ndërkombëtar të INTERPOL-it për një individ 32 vjeçar, por, sipas tij, dyshuari nuk u gjet.
Radovan Radiq akuzohet për vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, më 26 korrik 2011 dhe sulmin ndaj konvojit të Policisë së Kosovës në të cilën ai ishte duke udhëtuar në kohën kur u vra.