Vulin: Ajo çka bënë shqiptarët është dëshmi se sa shumë i’u frikësohen dhe i urrejnë serbët

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin e ka komentuar moslejimin e ekipit të Crvena Zvezdës për t’u futur në territorin e Republikës së Kosovës për ta zhvilluar ndeshjen e Kupës së Serbisë ndaj Trepçës serbe.

Lajme

09/10/2019 17:46

Aleksandar Vulin, ministër i Mbrojtjes i Serbisë e ka komentuar ndalimin e ekipit të Crvena Zvezdës për tu futur në territorin e Republikës së Kosovës.

Klubi nga Beogradi po planifikonte ta zhvillonte ndeshjen e Kupës së Serbisë ndaj ekipit serb nga Kosova, Trepça, por nuk u lejua nga Policia e Kosovës.

Dhe, Vulin e ka shprehur mllefin e tij përmes një deklarate të dhënë për mediat serbe.

“Ajo që e bënë shqiptarët sot është demonstrim se sa shumë e urrejnë Serbinë ata. Crvena Zvezda është simbol i serbëve dhe nuk është i mirëseardhur dhe mirëpritur për armiqtë serbë”, ka thënë ministri i Mbrojtjes i Serbisë.

“Kur janë në pyetje shqiptarët, ata thonë se sporti nuk duhet të përzihet me politikën. Ata kanë kërkuar që të lihen të luajnë lirshëm të rinjtë dhe të bëjnë sport, por kanë gënjyer, pasi këtë nuk e kanë respektuar sot edhe vetë. E kur serbët duan të luajnë futboll, atyre ju pamundësohet kjo nga policia, dhunshëm. Zvezda është simbol i serbëve dhe ajo që e bënë shqiptarët tregon se sa shumë iu frikësohen serbëve, se sa e urrejnë Serbinë”, ka përfunduar Vulin.