​Vuçiq-Sorensenit: Themelimi i Asociacionit është parakusht për fillimin e normalizimit të marrëdhënieve

Emisari special për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen takoi të martën në Beograd presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq – në takimin e tyre të parë prej kur diplomati danez e mori detyrën e emisarit. Vuçiq shkroi në Instagram se i ka thënë Sorensenit se “formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pas 12 vitesh refuzimi…

Lajme

25/03/2025 14:42

Emisari special për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen takoi të martën në Beograd presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq – në takimin e tyre të parë prej kur diplomati danez e mori detyrën e emisarit.

Vuçiq shkroi në Instagram se i ka thënë Sorensenit se “formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pas 12 vitesh refuzimi të Prishtinës për ta përmbushur këtë detyrim, është parakusht për fillimin e normalizimit të vërtetë të marrëdhënieve”.

Çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është ndër çështjet më problematike në dialogun me Serbinë.

Një marrëveshje është arritur në vitin 2013, ndërkaq dy vjet më vonë është arritur marrëveshja tjetër për parimet e asociacionit. Marrëveshja nuk është zbatuar asnjëherë.

Sipas Kosovës, një asociacion i tillë njëetnik do të ndikonte negativisht në funksionalitetin e brendshëm të shtetit.

Për Asociacionin janë hartuar edhe drafte.

Presidentja Vjosa Osmani tha se javën e kaluar se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga Bashkimi Evropian nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe si i tillë, sipas saj, nuk e kalon testin e Gjykatës Kushtetuese.

Vërejtjet për Asociacionin, Osmani tha se ja ka paraqitur edhe përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, i cili qëndroi në Kosovë në fillim të javës së kaluar.

Sorensen, i pyetur se a nevojitet ndonjë kompromis në dialog, ai tha se këtë e përcaktojnë palët.

Emisari i BE-së, gjatë qëndrimit në Kosovë tha se objektiv kryesor i tij është që të ecë përpara procesi i dialogut por paraprakisht tha se do të zhvillojë biseda me palët dhe të bëjë një vlerësim se ku ndodhet dialogu.

Në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian nuk ka pasur takim të nivelit të lartë që 18 muaj./