Vuçiq prapë e mohon gjenocidin e Srebrenicës, thotë se do t’i nderojë vendet që votuan kundër në Rezolutën e 11 korrikut

Edhe pse kaluan më shumë se dy muaj prej ditës kur u votua Rezoluta që shpalli 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, presidenti i Serbisë vazhdon të mos pajtohet me këtë fakt, e vazhdon ende lobimin kundër. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 26 shtator e ka dekoruar ambasadoren e…

Lajme

27/09/2024 09:24

Edhe pse kaluan më shumë se dy muaj prej ditës kur u votua Rezoluta që shpalli 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, presidenti i Serbisë vazhdon të mos pajtohet me këtë fakt, e vazhdon ende lobimin kundër.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 26 shtator e ka dekoruar ambasadoren e Hungarisë në Kombet e Bashkuara, Zuzana Horvat, me Urdhrin e flamurit serb të shkallës së parë.

“Faleminderit që dëgjuat, kuptuat dhe përkrahët të drejtën e popullit serb për liri, pavarësi dhe të vërtetë”, ka shkruar Vuçiq në një postim në Instagram.

Hungaria ishte një nga vendet që votoi në OKB në maj kundër Rezolutës që shpalli 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë dhe që dënonte mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës.

Vuçiq deklaroi më parë në Nju Jork në shtator se do të nderonte përfaqësuesit e vendeve “që ishin në anën e Beogradit” gjatë miratimit të rezolutës për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në maj.

“Ka, natyrisht, rusët dhe kinezët, dhe Nikaragua dhe Meksika dhe Brazili, India, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kongo, në varësi të nivelit të mbështetjes”, tha Vuçiç në atë kohë.

Më 23 shtator, Vuçiq i dorëzoi edhe Përfaqësuesit të Përhershëm të Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vasilij Nebenzha, Urdhrin e flamurit serb të shkallës së parë.

Vuçiq, ndërkaq, aktualisht ndodhet në Nju Jork për seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Në maj, 84 vende votuan për Rezolutën në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, 19 ishin kundër, duke përfshirë Rusinë dhe Kinën, ndërsa 68 vende abstenuan.

Beogradi zyrtar loboi kundër Rezolutës.

Në gjenocidin në Srebrenicë, të kryer në korrik 1995 nga anëtarët e Ushtrisë së Republika Srpska, u vranë të paktën 8,372 boshnjakë./Lajmi.net