Vuçiq: Përpjekjet për shfuqizimin e Listës Serbe me pasoja katastrofale

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka thënë sot se është shumë i shqetësuar për situatën në Kosovë, dhe se çdo përpjekje për të "shfuqizuar" Listën Serbe mund të ketë pasoja katastrofale për marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve.

Lajme

14/10/2019 13:16

“Unë jam shumë i shqetësuar për situatën në Kosovë, veçanërisht në lidhje me përpjekjen e shqiptarëve për të marrë një vendim për shfuqizimin e Listës Serbe”.

Vuçiq tha se Lista Serbe mori 96 për qind të votave të serbëve të Kosovës në zgjedhje.

“Tashmë ata nuk janë më të sigurt nëse janë helmuar. Ata nuk dinë çfarë të shpikin, por konstatojnë se Lista Serbe duhet të shfuqizohet. Kjo, do të ketë pasoja katastrofale për marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve sepse serbët nuk do të jenë më në institucione. Dhe kur serbët nuk janë në institucione, ju e dini si do të duhet të mbrojnë lirinë dhe vatrën e tyre ”, tha Vuçiq.

Kujtojmë se ka arritur në 11 numri i personave të cilët janë pranuar në QKUK, pasi siç kanë thënë, kanë pasur reaksione alergjike pas kontaktit me zarfet me vota, të ardhura nga Serbia.

Për shkak të mungesës së rezultateve mjekësore, nuk dihet ende se si erdhi deri te paraqitjet e këtyre simptomave te këta persona./Lajmi.net/