Vuçiq për sanksionet amerikane ndaj NIS-it: Nuk e kuptoj logjikën e tyre
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se nuk e kupton logjikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lidhje me sanksionet ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) dhe ka shtuar se nuk beson se ata do ta ndryshojnë vendimin dhe të aprovojnë licencën. “Mund të më vrisni, por unë nuk e kuptoj logjikën…
Lajme
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se nuk e kupton logjikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lidhje me sanksionet ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) dhe ka shtuar se nuk beson se ata do ta ndryshojnë vendimin dhe të aprovojnë licencën.
“Mund të më vrisni, por unë nuk e kuptoj logjikën e tyre. Kam zhvilluar biseda të panumërta me ta. Unë pyes pse nuk na japin licencën, sepse rafineria në Pançevë e ndalon punën të martën. Vlera e kompanisë do të bjerë pastaj. U them se do t’i respektojmë sanksionet dhe se ajo që ata duan do të ndodhë për pesë ditë”, ka thënë Vuçiqi për televizionin në shërbim të regjimit të tij, “TV Informer”.
Sipas tij, amerikanët vendosën sanksione ndaj NIS-it që të përjashtohet menaxhmenti rus, e më pas edhe pronësia ruse.
“Natyrisht, kjo nuk bazohet në të drejtën ndërkombëtare. Ne jemi një vend i vogël dhe nuk mund të funksionojmë pa naftë. Kemi vetëm një tubacion nafte, të cilin kroatët e mbyllën sapo hynë në fuqi sanksionet”, ka thënë Vuçiqi, i cili disa herë përsëriti se “nuk e ka të qartë” çfarë po bëjnë amerikanët tani.
Sipas tij, ai është munduar ta kuptojë vendimin amerikan, por nuk mundet ta kuptojë, sepse “nuk ka asnjë logjikë në këtë qëndrim ndaj Serbisë, në këtë moment, veçanërisht pas garancive tona”.
“Ne nuk kemi marrë strukturën e qartë të pronësisë mes blerësit… Unë them: “Ngadalë, ngadalë… kjo është diçka që nuk ju interesojë juve. Juve duhet t’ju interesojë nëse doni të shihni ndryshimin e pronësisë, sepse keni marrë garanci nga Republika e Serbisë. Çfarë është ajo që ende nuk e keni të qartë?”, ka thënë Vuçiqi, duke ëndërruar se ende mund të mashtrojë dikë, dhe të vazhdojë të qëndrojë në dy karrige.
Ai thotë se mendon se “presidenti amerikan Donald Trump nuk është i njoftuar me detajet”.
“Na thonë – keni pasur nëntë muaj. Por ne nuk kemi pasur asnjë ditë, ne nuk jemi pronarë të kompanisë. Ne nuk jemi as komunistë, as fashistë që të konfiskojmë. Është e qartë se edhe tek amerikanët ka nervozizëm për shkak të Ukrainës, nuk janë të sigurt se atje do të zgjidhet diçka. Dhe pastaj do të na fajësojnë neve, si ata ashtu edhe ata të tjerët”, ka pretenduar Vuçiqi, duke shtuar se nuk e di që ekziston ndonjë rrugë tjetër apo ndryshe, dhe se kështu “mbetet një luftë e vështirë”.
“Tek amerikanët nuk ka nervozizëm, çka i intereson atyre sa është dëmi në Serbi. As tek rusët nuk ka nguti, për ta është e rëndësishme pronësia, ndërsa si do të jetë tek ne është çështje e jona. Por nuk mund t’i fajësoj as ata, nuk janë ata që e shkaktuan këtë”, ka thënë Vuçiqi.
Ai ka pretenduar se e di që nuk u pëlqen askujt në rajon, dhe se nuk është personazh i preferuar as në Uashington, as në Bruksel, as në Moskë, dhe se “pikërisht për këtë është më krenar”.
Sa i përket mundësisë së përfundimit të luftës në Ukrainë, Vuçiqi ka thënë se “shumëkush shpreson në një armëpushim dhe kjo është diçka që me gjasë është e mundshme, por ai mendon se do të jetë vetëm një pauzë para një lufte të madhe”.