Vuçiq: Nuk ka njohje të Kosovës në kufijtë aktual

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka përjashtuar mundësinë që Beogradi ta njohë Kosovën si shtet në kufijtë ekzistues.

Lajme

22/10/2019 08:53

Gjatë një interviste me të përditshmen austriake “Standard”, Vuçiq ka thënë se është pak e besueshme që Serbia ta njohë Kosovën, edhe pse nga SHBA ka dëgjuar se BE-ja ka ndryshuar qëndrimin dhe se nga Beogradi mund të kërkohet njohja, transmeton lajmi.net.

I pyetur nëse Serbia do ta njohë ndonjëherë Kosovën si anëtare të barabartë të bashkësisë ndërkombëtare, Vuçiq ka thënë se kjo është një pyetje e vështirë për serbët.

“Dëshirojmë të shohim se çfarë ata (negociatorët e Prishtinës) thonë dhe pse e thonë. Sigurisht, dëshirojmë të dëgjojmë edhe atë se çfarë ka për të thënë BE-ja. Deri tani BE-ja nuk ka parashtruar asnjë kusht për Serbinë”, tha Vuçiq.

“Megjithatë, ne nga amerikanët kemi dëgjuar se shumëçka është ndryshuar por dëshirojmë ta dëgjojmë nga partnerët tanë evropianë. Nuk mund ta përjashtoj mundësinë se BE-ja do të kërkojë njohje, por nuk e ka bërë një gjë të tillë deri sot”, shtoi ai, transmeton lajmi.net.

Vuçiq ka thënë se ideja e BE-së ishte modeli i marrëveshjes së dy Gjermanive, pa njohje formale nga ana e Beogradit që sipas tij do të ishte më e thjeshtë për Serbinë.

I pyetur nëse vjen deri te njohja e Kosovës nga ana e Serbisë në kufijte ekzistues, Vuçiq tha: “Mund t’ju them se këtë e përjashtoj në mënyrë absolute”.

Në një pyetje tjetër se çfarë do të thotë kjo dhe nëse do të ishte e mundur që të arrihet njohja me ndryshim të kufijve ose shkëmbim të territoreve, ai ka thënë se nuk e di se çfarë do të ndodhë.

“Nuk është shumë e mundshme se do ta njohim Kosovën. Nuk mendoj se do të ndodhë, por nuk mund t’ia mbyllim dyert dialogut. Të dyja palët duhet të humbin, në mënyrë që të vazhdojë situata fitore-fitore. Nuk ka mundësi njëra palë të fitojë të gjitha, njohjen, territorin tonë dhe njerëzit tanë”, theksoi ai.

“Çka do të fitojmë ne? Anëtarësimin e mundshëm në BE pas dhjetë vjetësh? Kush mund të na garantojë? A do të ishte një garancion si ai që mori Maqedonia e Veriut, të cilës i është premtuar fillimi i negociatave”, u shpreh Vuçiq. Ai theksoi se ekziston vetëm një kusht për rikthim në dialog me Kosovën, transmeton lajmi.net.

“Prishtina duhet ta heq taksën dhe pastaj duhet të bisedojmë për të gjitha gjërat, pa parakushte. Mirëpo, nëse para dialogut të mundshëm thuhet se nuk bisedojmë për territore, nuk bisedojmë për autonominë e veriut, për çka duhet të bisedojmë? Me këto kushte nuk ka bisedime”, porositi ai.

Në deklaratën e fituesit të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti se është i gatshëm ta heq taksën, por se dëshiron që Serbia t’i njohë tabelat e regjistrimit të Kosovës, Vuçiq ka thënë se Kurti si duket nuk e ka lexuar marrëveshjen.

“Ekziston një marrëveshje për tabelat e regjistrimit, sipas së cilës automjetet nga Kosova duhet të vendosin një mbulesë. Nëse Kurti dëshiron të arrijmë një marrëveshje të re, atëherë mund të shohim se çfarë mund të bëjmë. Ata kurrë nuk kanë qenë shtet dhe janë të frustruar, për çka bisedojnë edhe gjëra të kota”, theksoi Vuçiq.

“Në ditët e fundit deklaratat e tyre janë tri herë më të këqija se deklaratat e Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt”, përfundoi ai. /Lajmi.net/