Vuçiq nga Gjermania: Dialogu do të vazhdojë vetëm kur të hiqet taksa

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar me përfaqësuesit e Bundestagut gjerman.

Lajme

20/06/2019 14:49

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, edhe një herë e ka ripërsëritur qëndrimin e tij se dialogu Kosovë-Serbi, do të vazhdojë vetëm pas heqjes së taksës.

Siç shkruajnë mediet serbe, këto komente Vuçiq i ka dhënë gjatë takimit me Florian Hahn, deputet i Bundestagut gjerman nga radhët e CDU/CSU, transmeton lajmi.net.

Vuçiq citohet të ketë thënë se Serbia është e angazhuar që përmes dialogut me Kosovën të arrihet një zgjidhje kompromisi dhe e pranueshme nga të dyja palët, kështu duke siguruar stabilitet në rajon.

Mirëpo, ai ka ripërsëritur se dialogu me Kosovën mund të zhbllokohet vetëm kur Kosova ta heq taksën ndaj mallrave të Serbisë.

Ndryshe, që nga muaji nëntor i vitit të kaluar dialogu Kosovë-Serbi është bllokuar për shkak të vendosjes së taksës prej 100 për qind për mallrat serbe nga qeveria kosovare. /Lajmi.net/