Vuçiq: Nëse Kosova tenton të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, e presin surpriza të mëdha

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq deklaroi se nuk dëshiron të gënjejë popullin serb pasi situata që lidhet me Kosovën është e vështirë.

Lajme

12/01/2021 10:57

Vuçiq tha se autoritetet në Prishtinë duhet të respektojnë marrëveshjet e arritura deri më tani dhe se nëse aplikojnë për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, do t’i presin surpriza të mëdha.

Lidhur me njoftimin se autoritetet kosovare do të paraqesin kërkesë për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, Vuçiq shtoi se ata nuk kanë ide dhe se nuk i lexojnë marrëveshjet që nënshkruajnë.

“Ata nuk lejohen të aplikojnë në organizata ndërkombëtare dhe nëse aplikojnë, do t’i presin surpriza të mëdha. Pra nëse nuk i përmbahen marrëveshjeve, unë i informoj se do të përballen me surpriza të shumta, pozitive për popullin serb, por jo për ju”, tha ai, transmeton lajmi.net.

Vuçiq tha se lufta për Kosovën duhet të vazhdojë, si dhe për njerëzit serb që kanë në Kosovë.

“Por nuk duhet të gënjejmë veten dhe të themi se situata është e lehtë dhe e thjeshtë, njerëzit duhet të dinë rreziqet e konfliktit të ngrirë.Problemi ynë është se shqiptarët dhe evropianët nuk janë të gatshëm për një zgjedhje thellësisht kompromisi, ata të gjithë duan humbjen e Serbisë. Të gjithë ata duan në një mënyrë apo tjetër, veçanërisht shqiptarët, duan humbje dhe përulje të Serbisë”, shtoi ai./Lajmi.net/