Vuçiq me zyrtarët rusë: Serbia mbetet ushtarakisht neutrale

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përsëriti të premten se Serbia do të mbetet ushtarakisht neutrale dhe se do të nënshkruajë dokumente srategjike që e konfirmojnë statusin e tillë.

Lajme

29/11/2019 16:01

Vuçiq i bëri këto komente në takim me zëvendësministrin e Jashtëm rus, Aleksandr Grushko, në Beograd.

Në njoftimin për media të Presidencës së Serbisë thuhet se Vuçiq dhe Grushko biseduan për situatën në rajon dhe se presidenti serb e falënderoi zyrtarin rus për “mbështetjen aktive ndaj ruajtjes së integritetit territorial të Serbisë”.

Vuçiq, më 4 dhjetor, do të takojë presidentin rus, Vladimir Putin, në Soçi, për të tretën herë këtë vit.

Serbia, e cila është bombarduar nga NATO-ja në vitin 1999 për shkak të dhunës në Kosovë, e kundërshton anëtarësimin në aleancë.

Rusia po ashtu është kundër zgjerimit të NATO-s me vendet e Ballkanit.

Këtë javë, Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka nxjerrë një dokument, në të cilin thuhet se marrëdhëniet Serbi-Rusi janë forcuar që nga ardhja në pushtet e Vuçiqit në vitin 2012.

Javën e kaluar, ndërkaq, ka dalë në pah një skandal i spiunimit të agjentëve rusë në Serbi.

Edhe Kremlini, edhe Beogradi janë zotuar se nuk do të lejojnë që ky skandal t’i prishë marrëdhëniet e tyre.