Vuçiq dhe McCain kërkojnë që dialogu Prishtinë-Beograd të vazhdojë sa më shpejt

Senatori amerikan, John McCain dhe presidenti i zgjedhur i Serbisë, Aleksandr Vuçiq kanë folur para gazetarëve pas takimit që patën në Beograd.

Bota

10/04/2017 15:10

 

Vuçiq ka thënë se në këtë takim është folur për tri tema, duke mos anashkaluar as Kosovën, transmeton lajmi.net

“Së pari ishte tema e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon. Së dyti, raportet ndërshtetërore dhe e treta, pjesëmarrja e Serbisë në trendet globale. Ne biseduam në lidhje me atë që të punojmë sa më shumë në ruajtjen e paqes dhe sa më shpejt që të jetë e mundur të vazhodjë dialogu në Bruksel”, ka thënë Aleksandër Vuçiq.

Për dialogun foli edhe senatori amerikan, i cili tha se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojnë.

“Duhet të keni guxim që dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të vazhdojë”, është shprehur McCain.

Në takim është diskutuar edhe për raportet e Amerikës dhe Serbisë me Rusinë, çështjen e Sirisë, luftimin e terrorizmit etj.

McCain ishte kandidat për president të Amerikës në vitin 2008 kur ishte mposhtur nga Barack Obama. /Lajmi.net/