Vucic anulon vizitën në Kosovë

Zv/Kryeministri i Serbisë ka anuluar një vizitë të planifikuar për të mërkurën në Gracanicë, meqë Qeveria e Kosovës s'i ka dhënë leje që të vijë bashkë me Aleksandar Vulin. Bekim Çollaku shpjegon përgjigjen “pozitive” dhe “negative” për zyrtarët serbë.

Lajme

22/10/2013 18:06

ZëvendësKryeministri i Parë i Serbisë, Aleksandar Vucic, ka anuluar vizitën e tij në Gracanicë dhe Leposavic, të planifikuar për të mërkurën, për shkak të kushtëzimit të Prishtinës që ai të mos jetë i shoqëruar nga Ministri pa Portofol Serb, i ngarkuar me Kosovën, Aleksandar Vulin.

Siç raportohet, Vucic nuk ka dashur të pranojë “kushtëzimet e Prishtinës.”

“Dua t’i flas popullit tim qartë dhe me zë të lartë dhe dua që me mua të jetë edhe Ministri i ngarkuar për Kosovën dhe Metohinë. Nuk pranoj kushtëzime të këtij lloji”, ka thënë Vucic, raportojnë mediat serbe.

Vucic pret që deri në fund të fushatës për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit t’i mundësohet vizita bashkë me Vulinin ose me cilindo funksionar tjetër të Serbisë, raporton Radio Televizioni i Serbisë.

Bekim Çollaku, Këshilltar i Lartë i Kryeministrit të Kosovës, ka thënë për lajmi.net se Qeveria e Kosovës shpreh keqardhje për anulimin e vizitës së planifikuar për nesër nga Vucic.

“Kërkesa për këtë vizitë është bërë ditë më parë për të vizituar Gracanicën dhe Leposavicin. Në përputhje me kriteret dhe rregullat në fuqi, kjo kërkesë ka marrë përgjigje pozitive zyrtare nga ana e Qeverisë së Kosovës, sepse është klasifikuar e karakterit humanitar dhe religjioz.”

“Në të njëjtën vizitë ka kërkuar të marrë pjesë edhe Ministri i shtetit i Serbisë Aleksandar Vulin. Për këtë qëllim, edhe ai ka bërë një kërkesë të veçantë që t’i lejohet hyrja në Kosovë. Përsëri, në përputhje me kriteret dhe rregullat për këto lloje të vizitave të zyrtareve të Serbisë në Kosovë, këtij të fundit i është kthyer përgjigje negative në kërkesën e tij, për shkak se i njëjti me datë 17 tetor 2013 është futur në mënyrë ilegale në Kosovë.”

“Hyrja ilegale në territorin e Kosovës konsiderohet si vepër penale dhe sanksionohet sipas nenit 146 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prandaj, në këtë rast nuk bëhet fjalë për asnjë lloj kushtëzimi, mirëpo thjesht bëhet fjalë për respektim të ligjit dhe rregullave që janë në fuqi.”

Këshilltari i Lartë i Kryeministrit të Kosovës, Bekim Çollaku, ka pohuar më tutje për lajmi.net se Qeveria Kosovës mbetet e përkushtuar për respektimin e plotë të lirisë së lëvizjes për të gjithë dhe në kuadër të kësaj edhe aranzhimin e vizitave të zyrtarëve shtetërorë të Serbisë në Kosovë në përputhje me ligjet dhe rregullat në fuqi.

“Ne, gjithashtu, presim se edhe Qeveria e Serbisë do të dëshmojë vullnetin dhe gatishmërinë e njëjtë që të lejojë dhe lehtësojë vizita për zyrtarët e lartë shtetërorë të Kosovës në Serbi, respektivisht në Luginën e Preshevës.”

“Vizitat reciproke të zyrtarëve shtetërorë duhet të jenë në shërbim të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dy shteteve dhe të inkurajimit të pjesëmarrjes së shtetasve të dy vendeve respektive në institucionet shtetërore relevante”, ka deklaruar Bekim Çollaku për lajmi.net.