Vritet zyrtari i BDI Argëtim Asani, i njohur si Artan Musliu

Argëtim Asani, ish-zëvendësdrejtori i Drejtorisë për të Ardhura Publike dhe zyrtar i BDI-së është qëlluar nga një makinë në lëvizje në rrugën "Kongresi i Manastirit" në Strugë.

Lajme

25/07/2015 15:26

Ndaj Asanit i cili njihet edhe me një identitet tjetër si Artan Musliu është shtënë me breshëri plumbash nga një makinë në lëvizje e tipit “Golf” në afërsi të nje hoteli.

Asani nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë rrugës për në spital.

Sipas informacioneve për A1 Report ai është qëlluar me 10 plumba. Atentatorët mësohet se kanë pasur me vete edhe armë silenciatorë.

Nga të shtënat ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër i cili ndodhet në spital në gjendje të rëndë.

A1 Report raporton se kjo ngjarje nuk ka të bëjë me çështje politike, por me çështje biznesi, gjë të cilën e konfirmon edhe Policia Maqedonase. Sipas dyshimeve të para flitet se atentatorët janë shtetas shqiptarë.

Argëtim Asani më herët ishte aktivist i Partisë Demokracia e Re e Imer Selmanit, që më pas të kalojë në BDI dhe konsiderohet mjaft i afër me zv/kryeministrin Musa Xhaferi.

Kohe më parë në zgjedhjen e kryesisë së degës së BDI-së në qytetin e Strugës, këtë proces e shoqëruan tensione të shumta dhe rrahje midis aktivistëve të partisë së Ali Ahmeti. Në atë kohë Asani ishte plagosur.