Vritet një shqiptar në Siri, djali dhe vajza e mitur i mbesin në luftë

Një shtetas shqiptar i cili kishte shkuar në Siri të luftonte përkrahë xhihadistëve, raportohet se ka humbur jetën para dy ditësh. 

Lajme

12/11/2014 20:26

Shkëlzen Dumani, një prej vullnetarëve myslimanë shqiptarë që kanë shkuar për të luftuar në Siri dhe i kanë shpallur në kërkim për rekrutim të personave në Siri nga shteti shqiptar, është vrarë së paku dy ditë më parë. Mediat shkruajnë sot se Dumani ka humbur jetën në luftimet në Siri.

Gazeta Tema raporton se informacionin për vrasjen e Dumanit e ka marrë nga familja e tij.

Dumani, me origjinë nga Peshkopia, ka ikur një vit më parë në Siri, duke marrë me vete dy fëmijët e tij, 9 dhe 11 vjeç, dhe duke e lënë në shtëpi gruan, të cilës nuk i tregoi se ku po shkonte.

Në atë kohë, gruaja denoncoi në prokurori rrëmbimin e fëmijëve, dhe policia turke arriti ta mbajë disa orë në aeroport, por falë procedurave burokratike ai arriti të ikte, duke marrë fëmijët me vete.

Më pas nëna e tij ra në kontakt me të, duke ju lutur të kthehej, por ai nuk ju bind. E detyruar në këto kushte, nëna shkoi në Siri, në përpjekje për të marrë nipin dhe mbesën, por dhe ajo u mbajt aty.

Tani drama e madhe u përket dy fëmijëve të familjes Dumani, të cilët janë pa baba në një kamp në Siri, dhe me gjyshen e tyre, transmeton lajmi.net.