Vritet një person një Sallagrazhdë të Suharekës
Një person i moshës 52 vjeçare është vrarë mbrëmë në fshatin Sallagrazhdë të Suharekës, derisa po kosiste në livadhin e tij.

Lajme
Lidhur me rastin policia si të dyshuar ka arrestuar 4 anëtarë të familjes Tunaj nga i njëjti fshat.
“Në orët e mbrëmjes, policia në Suharekë është informuar për një vrasje e cila ka ndodhur në fushë tek vendi i quajtur “Rapufa”. Sipas hetimeve fillestare dyshohet se viktima një burrë i moshës 52 vjeç nga familja Xheraj, kishte shkuar me traktor për ta kositur livadhin dhe nuk ishte kthyer”.
“Familjarët të shqetësuar për viktimën, kanë shkuar për të marrë vesh shkakun e mos kthimit të tij dhe në vendngjarje e kanë gjetur të njëjtin pa shenja jete. Sipas hetuesve policorë; krim teknikës dhe mjekoligjorëve që janë marrë me rastin thuhet se viktima ka marrë pesë plagë shpuese-depërtuese nga arma e zjarrit; katër në trup e një në kokë”.
“Trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi ndërsa mbrëmë, në orët e vona, hetues rajonalë, të përkrahur edhe me forca tjera policore, me kërkesë të prokurorit të shtetit që ishte i pranishëm ne vendin e ngjarjes e me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, kanë bastisur një shtëpi në kërkim të provave materiale dhe gjetjen e autorëve të vrasjes e cila me gjasë është kryer nga pusia”.
“Është gjetur dhe sekuestruar një armë kallashnikov e mbështjell me një setër të zezë dhe pajisje për pastrimin e armës dhe një karikator me dhjetë fishekë. Për shkak të errësirës së natës, policia nuk ka qenë në gjendje që mbrëmë t’i gjejë gëzhojat e armës ndërsa sot, qysh në agim, Njësiti i krim teknikës ka filluar me këqyrjen e vendit të ngjarjes i cili është mjaft i hapur dhe i gjerë dhe duhet kositur sasi e konsiderueshme e barit dhe kontrolli i përhimët i një perezhi (gardh me shkurre drunjësh) rreth 150 metra”, thuhet në njoftimin e policisë rajonale të Prizrenit.