​Vritet gazetarja e REL-it në Kiev

Gazetarja dhe producentja e Radios Evropa e Lirë (REL), Vira Hyrych, është vrarë gjatë një sulmi rus me raketë në Kiev, që ka goditur banesën ku jetonte ajo.

Bota

29/04/2022 13:10

Sulmi ka ndodhur më 28 prill.

Trupi i saj i pajetë është gjetur nën rrënoja në mëngjesin e 29 prillit, raporton REL.

Vira Hyrych ka punuar për REL prej vitit 2018.

Paraprakisht, ajo ka punuar për kanalet televizive ukrainase.

Redaksia e Radios Evropa e Lirë ka ngushëlluar familjarët e viktimës dhe ka thënë se do ta kujtojë atë si njeri të këndshëm dhe si një profesioniste.

Si pasojë e sulmit rus të 28 prillit në Kiev, dy katet e para të ndërtesës 25-katëshe janë shkatërruar pjesërisht dhe më pas ka nisur zjarri.

Sipas autoriteteve të qytetit, katër njerëz tjerë janë dërguar në spital.

Sulmet në Kiev kanë ndodhur në ditën e njëjtë kur kryeqytetin ukrainas e ka vizituar sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Rusia ka nisur sulmet në Kiev, menjëherë pas përfundimit të takimit me shefin e OKB-së.

Ministrja ruse e Mbrojtjes ka thënë se sulmet ka qenë precize dhe kanë pasur cak një zonë të industrisë së raketave.

Autoritetet ukrainase nuk kanë raportuar për diçka të tillë. /REL