Vritet edhe një afro-amerikan, demonstrata në St. Louis
Policët amerikanë kanë vrarë edhe një person të mitur me ngjyrë në St. Louis, Missouri, pasi që ai ka nxjerrë revolen gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, njoftuan agjencitë botërore.

Bota
Një grup njerëzish të mllefosur janë tubuar te vendi i incidentit, ndërsa disa nga demonstruesit kanë hedhur parullën “Jeta e zezakëve vlen”, e cila u bë e njohur gjatë protestave për vrasjen e tinejxherit me ngjyrë zi Michael Brown në Fergusonin fqinj.
Shefi i policisë në St. Louis, Sam Dotson, në konferencë për gazetarë ka thënë se dy persona të dyshuar kanë ikur nga shtëpia, ndërsa dy oficerë policie, të cilët kanë bastisur atë në kërkim të armëve dhe drogës, janë vënë në ndjekje të tyre.
Njëri nga policët ka hapur zjarr, pasi që njëri nga të dyshuarit ka nxjerrë armën. Polici tjetër gjithashtu ka shkrepur dy plumba.
Dotson gjithashtu tha se policët në vendngjarje kanë gjetur edhe kokainë.
I riu, i identifikuar si Mansur Ball-Bay, 18 vjeçar, i është nënshtruar plagëve të marra. Shoku i tij ka arritur të ikë.
Gjatë demonstratave, disa nga mbi 200 protestuesit i kanë gjuajtur me shishe dhe tulla policët, të cilët kanë mbajtur mburoja dhe kanë përdorur gaz lotsjellës.
Nëntë persona janë ndaluar për shkak të pengimit të komunikacionit dhe kundërshtimit të arrestimit, njoftoi policia.
Vrasja e tinejxherit ndodhi në kohën kur në atë rajon po shënohet përvjetori i vrasjes së Kajieme Powell, afro-amerikanit të cilin policët e vranë derisa u afrohej me thikë në dorë.