Vriten shtatë persona në Santa Barbara të Kalifornisë

Breshëri plumbash të qëlluar nga një veturë në lëvizje në qytetin kalifornian, Santa Barbara, kanë lënë shtatë persona të vdekur, ka njoftuar policia lokale.

Bota

24/05/2014 17:49

Të shtënat janë verifikuar natën e së premtes, në lagjen Isla Vista, pranë Universitetit të Kalifornisë, ku dy të tretat e banorëve janë studentë. Shtatë persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, ndërsa autori i masakrës është mes personave të vdekur.

Drejtuesit e universitetit, por edhe ata të policisë lokale u kanë bërë thirrje banorëve që të kenë kujdes dhe të qëndrojnë të mbyllur në banesat e tyre.

Sherifi i kontesë së Santa Barbaras, Bill Brown deklaroi se të shtënat ndodhën në zona të ndryshme të lagjes Isla Vista dhe se atje ishin gjithsej nëntë skena krimi.

“Kemi marrë dhe po analizojmë pamjet e regjistruara nga kamerat, të cilat sugjerojnë se kjo masakër mizore ishte një vrasje në masë e paramenduar”, tha sherifi në një konferencë shtypi.

Ai iu tregoi medieve për një video të vendosur në YouTube, e titulluar “Hakmarrja e Elliot Rodger”, që tregonte një të ri të ankohej për vite të tëra refuzimi nga femrat.

Ndërkohë, dëshmitari Michael Vitek tha për televizionin CBS: “Ishte një BMW që po lëvizte dhe mua mu duk se në të ndodheshin dy persona. Njëri prej tyre po qëllonte drejt njerëzve. Mendoj se edhe një vajzë është vrarë”.