Vriten dhjetë fëmijë pakistanezë

Në një aksident që ka ndodhur të martën në veriperëndim të Pakistanit, kanë vdekur 16 persona, prej tyre 10 fëmijë. 

Bota

27/05/2014 11:56

Autobusi që transportonte pasagjerë nga provinca Punjab për në qendrën turistike Swat, është rrokullisur në afërsi të një lumi.

Zyrtarët pakistanezë kanë njoftuar se tragjedia mund të ketë ndodhur për shkak se shoferin e kishte zënë gjumi.

“Ne nuk e dimë me saktësi pse ka ndodhur aksidenti, por pasagjerët tjerë që ishin në autobus thonë se shoferin e kishte zënë gjumi”, ka thënë zëdhënësi i policisë në Swat, Shakeel Khan, raporton AFP.

Autoritetet kanë njoftuar se në këtë aksident, lëndime të rënda trupore kanë marrë edhe tetë persona të tjerë.

Pakistani është shteti me më së shumti aksidente me pasoja fatale në botë, për shkak të rrugëve të këqija, menaxhimit të keq të tyre dhe mospërfilljes së rregullave të trafikut.