Vriten afro 100 militantë në Pakistan

Zyrtarët e sigurisë në Pakistan thanë se nga sulmet me aeroplanë luftarakë, sot herët në mëngjes, janë vrarë së paku 100 militantë.

Bota

15/06/2014 15:06

Sipas këtyre zyrtarëve të sigurisë, sulmet me aeroplanë janë kryer kundër së paku tetë strehimeve të militantëve, në pjesën e trazuar veriperëndimore të këtij vendi.

Këto burime thanë që lideri militant, Abu Abdul Rehman, që mendohet se ka ndihmuar në orkestrimin e okupimit të aeroportit në Karaçi për pesë orë, më 8 të këtij muaji, është në mesin e të vrarëve.

Në shënjestër të këtyre sulmeve ishte hapësira malore Dehgan, afro 25 kilometra në perëndim të Miranshahut, që është kryeqytet i rajonit fisnor Uaziristani Verior, njëherësh bazë e fuqishme e militantëve të ndërlidhur me al-Qaedan dhe talibanët.